

Tiranë, 1 maj 2012, NOA- Me rastin e ditës së 1 Majit një protestë e konfederatës së sindikatave po zhvillohet para Kryeministrisë, me rastin e ditës botërore të punëtorëve.
Në këtë protestë marrin pjesë sindikata e minatorëve, e taksistëve, organizata politike dhe të papunë të cilët mbështesin këtë protestë.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast siç informon noa.al, kreu i konfederatës së sindikatave Kol Nikolla u shpreh se, “Varfëria dhe papunësia tek shtresat më në rrezik ëshët alarmante, ndërsa 400 mijë të papunë në fshatra rezultojnë të vetëpunësuar në një kohë që nuk kanë të ardhura”.
1 Maji është dita ndërkombëtare e punëtorëve, e cila i kushtohet luftës për ruajtjen dhe përparimin e të drejtave të punëtorëve. Kujtohet në ditën e parë të majit në shenjë respekti ndaj viktimave të protestës që u mbajt prej 1 deri 4 maj të vitit 1886 në Çikago.
Qëllimi i protestës i rreth 40 000 punëtorëve në Çikago ishte vendosja e orarit të punës prej tetë orëve në ditë, ndërsa policia përdori forcë dhe u shënuan viktima. Organizatorët e protestës u dërguan në gjyq, ndërsa katër prej tyre u ekzekutuan.
Në kujtim të viktimave nga protesta e Çikagos, Internacionalja e dytë në kongresin e saj themelues në vitin 1889 në Paris ka miratuar deklaratë, me të cilën punëtorët ftohen në demonstrata masive më 1 maj që ta përmirësojnë pozitën e tyre.
a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





