

Tiranë, 30 prill 2012, NOA- Sipas MeteoAlb, për sa i përket ditës së nesërme, dita do të nisë me kthjellime në të gjithë territorin por duke ju afruar mesditës do të ketë kalime vranësirash nëpër të gjithë vendin, më të theksuara në verilindje dhe juglindje duke rrezikuar shira të dobët dhe të përkohshëm.
Po ashtu edhe pjesa e dytë e ditës do të vijojë me vranësira dhe shira të izoluar në zonat malore lindore ndërsa zonat e ulëta dhe bregdetare do të dominohen nga moti i kthjellët dhe vranësira të lehta. Parashikohet që kjo situatë të mbetet e njëjtë edhe gjatë natës.
Temperaturat e ajrit do të qëndrojnë konstante në të dy vlerat si në ato minimale dhe në ato maksimale.
Era do të fryjë me shpejtësi mesatarisht 30 km/h nga drejtimi veriperëndimor, kjo do të bëjë që dallgëzimi të jetë deri në 2 ballë.
Europa
Vendosja e një qendre me presion të ulët atmosferik mbi ishujt britanike do të kushtëzojnë mot të paqëndrueshëm në këto rajone ku vranësira dhe shirat intensive do të jenë dominuese gjatë gjithë ditës. Gjithashtu me vranësira dhe shira do të paraqiten Europa qendrore, zona e alpeve dhe një pjesë e Mesdheut por shirat do të jenë me intensitet më të ulët. Ndërsa prezenca e një qendre anticiklonare në Lindje të kontinentit do të kushtëzojë në pjesën më të madhe të tij mot të qëndrueshëm ku kthjellimet dhe temperaturat e larta do të jenë dominuese.
a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





