Transmetuar më 30-04-2012, 17:45

Tiranë, 30 prill 2012, NOA- Në mbledhjen e ditës së sotme të Shtabit të Luftës Kundër Kultivimit të Bimëve Narkotike në Qarkun e Tiranës, u përcaktuan hapat lidhur me zbatimin e Planit të Veprimit “Për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve”.

Gjatë fjalës së tij, Drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë, Bernard Caushaj, theksoi se gjatë vitit 2012, Policia e Tiranës do të marrë të gjitha masat për organizimin e shërbimeve policore në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve.

Siç raporton noa.al, në aktivitetet operacionale janë parashikuar, masat për organizimin e operacioneve policore për parandalimin, identifikimin dhe asgjësimin e sipërfaqeve të mbjella me bimë narkotike, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të tyre.

“Nga strukturat e hetimit dhe parandalimit të krimeve do të aktivizohen të gjitha burimet e informacionit, me qëllim mbledhjen e informacioneve për njohjen e gjendjes së kultivimit të bimëve narkotike në Qarkun e Tiranës, informacione të cilat do të vlerësohen  maksimalisht nga ana e këtyre strukturave”, u shpreh Caushaj, raporton noa.al.

Sakaq Prefekti i Tiranëd Keltis Kruja theksoi, se lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike nuk është një angazhim vetëm i strukturave të policisë, por edhe i organeve të tjera, si ato të qeverisjes vendore, dhe më gjerë, është një luftë që kërkon angazhimin e shume aktoreve dhe vetë qytetarëve në të.

Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se gjatë këtij viti, do të ketë një bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet Policisë, Institucioneve, Komunitetit, Medias, Shkollave, qytetareve etj, dhe për rrjedhoje do të ketë një forcë parandaluese dhe goditëse të rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, duke synuar numrin më minimal të rasteve të evidentimit të tyre, krahasuar me vitet e tjera.

a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit