

Durrës, 30 prill 2012, NOA- Dy italianë dhe një shqiptar janë vënë në prangat e policisë së Durrësit nën akuzën e trafikimit të armëve drejt Italisë.
Burime zyrtare nga policia e qytetit bregdetar thanë për agjencinë e lajmeve noa.al, se të ndaluarit janë 50 vjeçari Antonio Carriero nga Brindizi, Ricardo Gagliardi 25 vjeç nga Brindizi dhe 19 vjeçari shqiptar Orlando Smoqi, banues në fshatin Rreth Shijak.
Mësohet se arrestimi i tyre erdhi pasi iu gjetën dhe sekuestruan gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip Lancia me targa BM 866 EM, me të cilin dy italianët po udhëtonin, të fshehura në pjesë të ndryshme të mjetit u gjetën të çmontuara dy armë zjarri, automatikë model 56.
Sipas policisë thuhet se italianët kishin siguruar dhe blerë armët automatike në Shqipëri nëpërmjet të njohurit të tyre Orlando Smoqit.
Si rrjedhojë të ndaluarit synonin trafikimin e armëve drejt Italisë, pasi rreth mesnatës do të udhëtonin me një nga tragetet e linjave drejt Barit.
Lidhur me këtë rast nisën hetimet për veprën penale të trafikimit të armëve të zjarrit dhe municioneve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





