



Tiranë, 30 prill 2012, NOA – Pas kthimit në Tiranë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri Sali Berisha deklaroi se takimi me Sekretaren amerikane të Shtetit Hillari Klinton ishte një takim shumë i rëndësishëm, pasi SHBA-të shprehën edhe njëherë mbështetjen e pakufishme për Shqipërinë në rrugën e integrimit përdrejt BE-së, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Në mbledhjen e grupit kuvendor demokrat, shefi i mazhorancës theksoi se me zonjën Klinton diskutoi për bashkëpunimin në të gjitha fushat.
“I shpreha mirënjohjen për ndihmën që SHBA-të i kanë dhënë Shqipërisë në ngritjen e ekonomisë, bashkëpunimin e mëtejshëm në të gjitha fushat. Ajo çka SHBA-të presin nga ne, është se mënyra më e mirë për të shprehur mirënjohjen tonë ndaj ndihmës është konsolidimi i vlerave që dy vendet tona ndajnë së bashku. Në takim u diskutua për të gjitha problemet, për situatën në vend dhe rajon. Një vend të veçantë zunë përpjekjet e Shqipërisë për integrimin, për të cilën Sekretarja e Shtetit theksoi domosdoshmërinë e përmbushjes së kërkesave të BE-së që të bëhet i mundur vendimi që presin qytetarët shqiptarë”, nënvizoi kryeministri Berisha.
Kryeministri tha se SHBA-të janë të gatshme ta ndihmojnë Shqipërinë në të gjitha fushat, por me përparësi në problematikën që lidhet me procesin e integrimit.
Zoti Berisha bëri me dije se gjatë takimit zonja Klinton shprehu ngushëllimet e saj për rënien në krye të detyrës të kapiten Feti Vogli në Kandahar të Afganistanit.
“Në takim u diskutua bashkëpunimi në fushën ekonomike, energjetike, arsim, investime dhe u shpreh gatishmëria e plotë e SHBA-ve për të ndihmuar Shqipërinë në këto fusha”, tha Berisha.
Ai sqaroi se rëndësi iu theksua luftës kundër korrupsionit dhe heqjes dorë nga imuniteti me synimin që të realizohet barazia përpara ligjit e të gjithë ofiqarëve dhe qytetarëve në mënyrë të barabartë.
Duke folur për integrimin dhe marrjen e ftesës së statusit kandidat në BE, kryeministri Berisha garantoi se mazhoranca do të bëjë gjithçka që të konsolidohen standardet, vlerat e demokracisë të nevojshme për integrimin.
Sipas tij ky është një proces i bazuar kryekëput në performancë dhe meritë. Vijon..
mit/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





