

Tiranë, 30 prill 2012, NOA – Pas deklaratave publike të Shemsi Prençit kundër anëtarëve të Qeverisë dhe krerëve të Policisë, Policia e Shtetit përjashtoi nga strukturat e policisë shqiptare, ish-Drejtorin e Policisë së qarkut të Dibrës, me argumentin se ka shkelur disiplinën e policisë dhe ka dhënë urdhra të jashtëligjshëm, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Zëdhënësja Klejda Plangarica, në emër të Policisë së Shtetit dha disa nga arsyet për përjashtimin e Prençit, duke nënvizuar se ish-kryepolici i Dibrës tejkaloi kompetencat e tij duke dhënë urdhra të paligjshëm dhe kërcënuar e shantazhuar biznese të kromit e persona të ndryshëm.
Plangarica bëri me dije se Prençi është akuzuar nga vendorët e Dibrës se ka ngritur një Task-Forcë në këtë qark duke dhënë urdhra të paligjshëm.
Zëdhënësja e Policisë së Shtetit tha se Shemsi Prençi që prej emërimit në detyrë në Dibër më 4 shkurt të 2012-së ka kryer shumë vepra të paligjshme, andaj Policia e Shtetit në adresë të Prençit, mori vendimin për pezullimin e përkohshëm nga detyra.
Por, sipas Plangaricës, ish-kryepolici i Dibrës pas këtij pezullimi ka fyer anëtarë të Këshillit të Ministrave, duke shkelur ligjin për Policinë e Shtetit.
Drejtori i Policisë së Shtetit vendosi pas hetimit disiplinor të përjashtojë nga radhët e Policisë, Shemsi Prençin për shkak të shkeljeve të rënda disiplinore, tejkalimit të kompetencave dhe mosveprimeve si dhe kryerjes së veprimeve të pahijshme.
mit/noa.al
Deklarata e Policisë së Shtetit
Në lidhje me disa akuza publike të ish oficerit të policisë Shemsi Prençi, adresuar Policisë së Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë sqaron opinionin publik si vijon:
Drejtues i Parë Shemsi Prençi, u emërua Drejtor i Policisë së Qarkut Dibër me datën 04.02.2012.
Pas fillimit të ushtrimit të detyrës prej tij, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit u adresuan në mënyrë të përsëritur një numër ankesash:
1- nga drejtues dhe oficerë të policisë së këtij qarku për kërcënime, shantazhe dhe transferime në detyrë të tyre, në kundërshtim me ligjin dhe rregulloren e Personelit të Policisë së Shtetit nga ana e Drejtorit Shemsi Prençi,
2- nga autoritetet vendore, për kapërcim të kompetencave dhe dhunim të akteve të përbashkëta të Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Punës dhe Ministrisë së Financave për ngritjen dhe funksionimin e një TASK-FORCE në Qarkun e Dibrës, nga ana e drejtorit të policisë Shemsi Prençi,
3- nga Zyra Përmbarimore e Rrethit Mat, për fyrje dhe pengim të ekzekutimit të vendimit gjyqësor nga ana e drejtorit të Policisë Shemsi Prençi,
4- nga Zyra Përmbarimore Private, për fyerje dhe pengim të ekzekutimit të vendimit gjyqësor nga ana e drejtorit të policisë Shemsi Prençi,
5- nga subjekte private të licencuara në shfrytëzimin e mineralit të kromit për veprime në tejkalim të kompetencave dhe shantazhuese për shkak të konkurrencës tregtare, nga ana e drejtorit të policisë Shemsi Prençi,
6- vënie në dijeni nga ana e Prokurorive të rretheve Mat dhe Dibër për konstatimin e veprimeve të kundraligjshme të policisë së qarkut Dibër të urdhëruara nga drejtori Shemsi Prençi.
Në këto rrethana, si dhe nga disa raporte informuese të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm për implikime të vazhdueshme të punonjësit të policisë Shemsi Prençi në veprime të kundraligjshme, më datën 23 Prill 2012, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit nisi hetimin administrativ.
Në funksion të këtij hetimi, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit me datën 24 Prill 2012, urdhëroi Pezullimin e përkohshëm në detyrë të drejtorit të policisë Shemsi Prençi, duke e vënë në dijeni për këtë ecuri.
Pas këtyre masave paraprake të marra në interes të hetimit administrativ, Drejtues i Parë Shemsi Prenci, me datën 25 Prill 2012, adreson publikisht fyerje dhe ofendime të rënda përpara mediave në adresë të drejtuesve të Këshillit të Ministrave, të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit, në shkelje të rëndë të Ligjit për Policinë e Shtetit dhe në dhunim të statusit të depolitizimit të policisë.
Në ngarkim të punonjësit të Policisë së Shtetit Shemsi Prençi kanë qenë të regjistruara dy masa të mëparshme disiplinore “vërejtje me paralajmërim” gjatë dy viteve të fundit për shkelje të kryera nga ana e tij gjatë ushtrimit të detyrës.
Në përfundim të hetimit administrativ, me propozim të Drejtorisë së Standardeve Profesionale, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit vendosi “Përjashtimin nga Policia” të Drejtues i Parë Shemsi Prençi për “Kryerjen e veprimeve të pahijshme” si dhe “Shkelje ose mosushtrimi i kompetencave të Policisë”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





