
Nga Alfred Lela
Kryeministri Berisha në një intervistë për Zërin e Amerikës ka pranuar se Presidenti i ardhshëm mund të dalë nga konsultat. Ai nuk ka harruar të përmendë Kushtetutën, natyrisht, duke i qëndruar mendimit se kreu i shtetit, pavarësisht bisedimeve, duhet zgjedhur sipas Kushtetutës. Por qëndrimit të tij të mëparshëm, të shndërruar thuajse në aksiomë, nuk ka munguar t’i shtojë edhe kujtimin e katër viteve të shkuara kur, në konsulta e konsensus, me z. Rama ndryshuan Kushtetutën. Kësaj here tingëllimi i deklaratës së z. Berisha nuk e ka pasur ‘kanosjen’ e llojit “vetë e deshët Presidentin me 71 vota!” E shqiptuar brenda atyre pak fjalive të cilat përmbanin edhe fjalën ‘konsulta’, duket se Kushtetuta në gojën e Kryeministrit kësaj radhe është larguar nga germa për t’u afruar me frymën.
Është e para herë që kryeministri Berisha, aktori kryesor në serialin me President, ka folur për idenë e konsultës. Qëndresa e tij për një President nga forumet drejtuese të Partisë Demokratike sigurisht nuk është thyer, por ka marrë një tjetër trajtë. Berisha, me anë të një formule berishiane, e ka hapur lojën për t’u bërë vend të gjithëve në të. (Kjo nuk do të thotë se ai nuk do të kërkojë ta fitojë lojën.)
Kjo, në njëfarë mënyre, është edhe përgjigjja e pyetjes së shtruar po në këtë gazetë pak ditë më parë: ‘Berisha, jo pse shkon, por si vjen nga Amerika’. Duket se Kryeministri vjen me një qasje të re ndaj problemit thelbësor të zgjedhjes së Presidentit: konsultat. Ai e mohoi se çështja e kreut të shtetit ishte një prej pikave të diskutuara në takimin 40-minutësh me sekretaren e shtetit, Clinton, por një prapakthehu i lehtë duhet të na kujtojë se fjala ‘konsultë’, në mos qoftë përmendur nga shefja e diplomacisë amerikane, është përmendur nga një vartës i saj. Ambasadori Alexander Arvizu në një deklaratë të paradokohshme pat thënë se parapëlqente konsultat më shumë se konsensusin.
Ndërsa e gjithë kjo kthesë e re do marrë trajtat e saj brenda dialektit politik të Tiranës, po në Tiranë është materializuar, edhe pse nën një shenjë të përsëritur, ajo që u ngjiz në Uashington. Partia Aleanca Demokratike ka nominuar Neritan Cekën si kandidat të sajin për President. Z. Ceka i përket paradhomës politike të Kryeministrit, duke qenë se ai ushtron funksionin e këshilltarit të tij. Ceka është gjithashtu ‘një film i vjetër’, për të cituar kreun e grupit parlamentar demokrat, i pyetur në lidhje me kandidaturën e Fatos Nanos.
Jemi pra, potencialisht, para një filmi të vjetër: në aulën e Parlamentit shqiptar mund të na shfaqet edhe njëherë ‘kërcënimi’ i një kandidature tre-kokëshe, duke përsëritur skenarin e 2007-ës; Nano, Ceka dhe një kandidat politik nga PD-ja. Zhvillimi mund të jetë katërcipërisht i kundërt: kandidati politik mund të rrëzohet për një prej dy kandidatëve të konsultuar.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





