




Athinë, 29 prill 2012, NOA – Në 6 maj Greqia do të zhvillojë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, të cilat pritet t’i japin fund qeverisjes së përkohshme të Lukas Papadimos.
Në përpjekje për të fituar sa më shumë zgjedhës, partitë politike kanë nisur të shfaqin spotet e tyre elektorale, duke propozuar zgjidhje për nxjerrjen e Greqisë nga kriza dhe varësia e borxheve, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Mediat vendase kanë komentuar gjerësisht vendimin e administratës aktuale për të përshpejtuar dhënien e shtetësisë greke emigrantëve shqiptarë, që jetojnë prej vitesh në vendin fqinj.
Sipas tyre, ky është një tjetër marifet elektoral për të shtuar numrin e mbështetësve në prag të zgjedhjeve të 6 majit.
Mediat greke bëjnë me dije se nga data 2-20 prill janë lëshuar mbi 129 pasaporta greke për emigrantët shqiptarë, një numër, që sipas tyre duhet të jetë disa herë më i madh duke marrë parasysh edhe kohëdhënien e tyre që prej muajit janar.
Përfshirja e shqiptarëve në zgjedhjet elektorale të 6 majit shihet si një faktor me peshë në rezultatet e partive politike dhe aq më tepër të dy forcave më të mëdha, PASOK-ut dhe Demokracisë së Re, të cilat kanë pasur qasje të ndryshme lidhur me emigracionin.
mit/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





