

Uashington, 29 prill 2012, NOA- Në mbyllje të vizitës së tij në Shtetet e bashkuara të Amerikës, Kryeministri Sali Berisha së bashku me zonjën e tij Liri Berisha morën pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e 100 vjetorit të Federatës Pan Shqiptare “Vatra”.
Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që merrte pjesë në ditën jubilare të Vatrës për të përshëndetur në në emër të qeverisë shqiptare dhe shqiptarëve.
Kryeministri kujtoi me nderim dhe mirënjohje themeluesit e saj të cilët të cilët në një kohë përcaktuese për fatet e kombit u bashkuan dhe themeluan organizatën e vlerave të mëdha kombëtare.
Ai vlerësoi rolin dhe kontributin e jashtëzakonshëm historik që “Vatra” luajti në momentet më deçizive për kombin shqiptar, përgjatë një shekulli.
“Atdhetarët shqiptarë themeluan “Vatrën”, si vatër të dritës të kombit shqiptar, themeluan “Vatrën” si vatër të shpresës së pashuar kombëtare. Ne nderojmë sot Fan Nolin dhe Faik Konicën, Paskal Aleksin dhe Lambi Çikozin, Elio Tromarën, Kosta Vasilin, Koço Kota e shumë të tjerë, të cilët në një kohë përcaktuese për fatet e kombit u bashkuan këtu dhe themeluan organizatën, të cilën gjeniu i mendimit shqiptar Fan Noli do ta pagëzonte dhe do të përzgjidhte për të midis të gjithë emrave, më të bukurin, më kuptimplotin, “Vatrën”. Ne nderojmë sot këtu përpjekjet dhe kontributin e madh historik që kjo organizatë ka dhënë në pavarësinë e Shqipërisë. Vatra dhe vatranët u shndërruan në një mbështetje të fuqishme të proceseve demokratike në Shqipëri. Ne kremtojnë 100 vjetorin e Vatrës në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë”, u shpreh Berisha, raporton noa.al.
Në vijim ai tha se përulet me mirënjohje të madhe për gjithë kontributin e federatës “Vatra” ndërsa shtoi se nuk ka gjë më të dhimbshme kur sheh bashkatdhetarët që largohen nga vendi i tyre, por asnjëherë nuk ndien dhimbje për ata që vijnë në SHBA, sepse në këtë vend të madh ata mbeten ndër shqiptarët më të mirë, sepse në këtë vend të madh, ata i japin Shqipërisë dhe shqiptarëve kontributin dhe ndihmesën më të madhe, sepse në këtë vend të madh, ata faktojnë atë miqësi dhe bashkëpunim me SHBA që ka pasur dhe ka një rëndësi jetike për Shqipërinë, shqiptarët dhe Kosovën , sepse në këtë vend të madh ata kanë të gjitha mundësitë që të shpalosin gjeninë e tyre në të gjitha fushat.
Aktivitetin e përshëndetën edhe zëvendës kryeministrja e Maqedonisë, zonja Teuta Arifi, Ministri Makolli, ambasadori Alexander Arvizu e një sërë personalitetesh të tjerë.
Historik: E krijuar më 28 prill të vitit 1912 në Boston, por me qendër sot në New York, Vatra festoi ditën e djeshme 100 vjetorin e themelimit të saj me një aktivitet ku merrnin pjesë drejtues të saj, Kryetari zoti Gjon Bucaj, Zëvëndës Kryeministrja e Maqedonisë zonja Teuta Arifi, ministri i Kosovës për diasporën Ibrahim Makolli, ambasadori Amerikan zoti Aleksandër Arvizu, krerët e të katër komuniteteve fetare, të atij mysliman, katolik, ortodoks, dhe komunitetit bektashian, anëtarë, aktivistë dhe simpatizantë të Vatrës si dhe një numër shumë i madh shqiptarësh të diasporës nga SHBA, por edhe Kosova, Maqedonia, Mal i Zi e Lugina e Preshevës, përfaqësues të arbëreshëve të Italisë, studiues, historianë, intelektualë, personalitete të kulturës, artit, shkencës, si dhe shumë të ardhur enkas nga Shqipëria për të festuar 1 shekull të Vatrës.
a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





