



Gjirokastër, 28 prill 2012, NOA – “Një njeri që nuk u kompromentua kurrë dhe një njeri që nuk i shiti idealet dhe parimet e veta kurrë. Një njeri që nuk u bë pazarxhi i qeverisë së radhës dhe një njeri që kurrë nuk i lëshoi idealet e tij për një Shqipëri më të mirë. Ai quhej Ardian Klosi dhe do të doja që të gjithë bashkë të mbanim një minutë heshtje të çuar në këmbë”.
Rrugëtimi nën moton Refresh u ndal në Gjirokastër, me një aktivitet në nderim të veprës së publicistit Ardian Klosi, i cili u vetëflijua mbrëmjen e të enjtes në shtëpinë e tij.
Gjatë kësaj ndalese të radhës morën teserën e PS-së edhe 350 të rinj e të reja nga qyteti i gurtë.
Pas minutës së heshjes për të nderuar Ardian Klosin, i cili sot u përcoll për në shtëpinë e tij të fundme, sekretari për Rininë dhe Emigracionin në Partinë Socialiste, Erjon Veliaj tha se ai dha shembullin e paçmueshëm të jetës që jetoi.
“Teksa njerëzit sot pyesnin si jetoi Ardian Klosi, të gjithë thonin fjalët më të mira. Të gjithë i referoheshin aktivizmit të tij në shoqërinë civile. Të gjithë i referoheshin aktivizmit të tij në referendumin kundër importit të plehrave. Të gjithë i referoheshin aktivizmit të tij në mbrojtjen e Gjirit të Vlorës. Të gjithë i referoheshin aktivizmit të tij në mbrojtje të Republikës së Shqipërisë ndaj autoritarizmit të qeverisë. Të gjithë i referoheshin aktivizmit të tij për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pyetja që unë sot kam për veten time, por që secili ndoshta e ka për veten e tij, si do jetojmë jetët tona?”, tha Veliaj.
Në një intervistë të dhënë për Mustafa Nanon, Ardian Klosi do të shprehej se “Atdheu janë rrugët e mia, është lagjia ime, janë fqinjët që banojnë me mua, janë ata që ndajnë qytetin tim”.
mit/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





