

Tiranë, 28 prill 2012, NOA – Pas Fatos Nano sot është bërë publike një tjetër kandidaturë për postin e kreut të shtetit. Partia Aleanca Demokratike (PAD) propozoi Neritan Cekën për postin e Presidentit të Republikës. Neritan Ceka, emri i mazhorancës për në krye të Presidencës? Në një deklarate për shtyp, përfaqësues të PAD-së vlerësuan se kandidatura e Cekës ka shanse për t’u mbështetur nga të gjitha palët. Ceka kandidoi dhe në vitin 2007 në disa raunde bashkë me Fatos Nanon.
Deputet për disa legjislatura, për Elbasanin, Neritan Ceka në thuajse të gjitha mitingjet e atëhershme përballej më së shumti me thirrjet “Neritani President”.
Pas zgjedhjeve të vitit 2009, Ceka u afrua shumë me PD. Në zgjedhjet e qershorit 2009 PD dhe PAD u prezantuan si aleatë elektoralë dhe në qeverisjen e vendit. Në një deklaratë publike ata thanë se kjo erdhi si një domosdoshmëri që buroi nga qëllimet dhe programet e përbashkëta të këtyre dy forcave politike.
Më pas, Neritan Ceka mori postin e këshilltarit për Çështjet e Kulturës dhe Trashëgiminë Kulturore në kabinetin e Kryeministrit Berisha. Pas kësaj ai lajmëroi shkrirjen e PAD me PD.
Neritan Ceka është 71 vjeç dhe njihet si një ndër arkeologët më të spikatur në vend. Ai njeh shumë mirë pesë gjuhë të huaja, anglisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht dhe rusisht.
a.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





