

Mat, 27 prill 2012, NOA Update – Një krim brenda familjes ka ndodhur mesditën e sotme në Mat. Vëllai ka vrarë motrën për motive ende të panjohura.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Madhesht të komunës Ulëz, në familjen Miza.
Vëllai 40 vjeçar Mirash Miza ka qëlluar me armë zjarri motrën e tij 27-vjeçare Shqipe Miza.
Krimi ka ndodhur pas një konflikti që ka ndodhur mes dy familjarëve.
Policia ka shkuar në vendngjarje dhe po heton për shkaqet e vrasjes. Ajo u shpreh zyrtarisht se ngjarja ndodhi në mesditën në fshatin Madhesh të këtij rrethi, ku Mirash Miza, 40 vjeç, ka qëlluar për vdekje me armë zjarri mbi motrën e tij 27-vjeçare, Shqipe Miza. Policia e Dibrës njoftoi në mbrëmje se ka arrestuar 40-vjeçarin në ndjekje që u dorëzua pas rrethimit, së bashku me armën e krimit.
Në familje ka pasur grindje për ndarjen e një prone, pasi vëlla e motër jetonin në familje më vete dhe kërkonin të drejtën e pronës sipas trashëgimisë. Por grupi hetimor po verifikon edhe pista të tjera të mundshme, si motivet e dobëta dhe ato banale.
Kanë qenë të afërmit që pasi dëgjuan sherrin dhe të shtënat, konstatuan trupin e përgjakur të Shqipe Mizës.
Dërgimi në spital i 27-vjeçares ka qenë i kotë, pasi kishte ndërruar jetë në vend. Plumbat e armës automatike i kanë dëmtuar organet jetësore dhe qitja mësohet se ka qenë nga një distancë tepër e afërt.
LEXONI GJITHASHTU: Kapet vëllai vrasës, ekzekutoi motrën brenda shtëpisë
Gjatë marrjes në pyetje, familjarët dëshmuan se krimi ndodhi pas një sherri në ambientet e banesës në fshatin Madhesh. Edhe më parë vëlla e motër kanë pasur mosmarrëveshje të vazhdueshme në lidhje me pronat që zotëronin në fshat.
Por ende nuk është përcaktuar motivi konkret i këtij krimi tragjik që tronditi opinionin. Në gjaknxehtësi e sipër, pas fyerjeve mes tyre, 40-vjeçari mësohet se ka hyrë në dhomën ku mbante armën dhe ka dalë prej andej duke qëlluar pa paralajmërim mbi të motrën.
Kur ka kuptuar pasojën e rëndë, Mirash Miza është arratisur në drejtim të zonës së pyllëzuar, mbi malësinë e Ulëzës, për të mos rënë në duart e policisë.
Forca të shumta të komisariatit të Matit, të ndihmuara nga ato të Dibrës kanë rrethuar zonën dhe gjatë tre orëve lokalizuan dhe bënë të mundur kapjen e Mizës, që nuk bëri asnjë lloj rezistence.
Bashkë me armën në vendngjarje mësohet se janë gjetur edhe prova të tjera, ndërsa dëshmitë e familjarëve kanë kompletuar për momentin dosjen hetimore. I dyshuari është izoluar në paraburgimin e komisariatit, kurse ngjarja po hetohet nga prokuroria për akuzën e “vrasjes me dashje për shkak të cilësive të veçanta” dhe “armëmbajtjes pa leje”. Pritet edhe dëshmia e plotë e 40-vjeçarit para grupit hetimor, për të mësuar më shumë detaje rreth shkaqeve dhe rrethanave.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





