Transmetuar më 27-04-2012, 12:00

Tiranë, 27 prill 2012, NOA – Ministria e Drejtësisë ka kërkuar nisjen e masave disiplinore për 7 noterë dhe shkarkimin e një gjyqtari. Vendimi i Ministrisë së Drejtësisë ka ardhur pas inspektimit që u është bërë 46 zyrave të përmbaruesve gjyqësorë privatë. Shkarkimi i gjyqtarit të Beratit është barë pas verifikimeve nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive, pasurinë e tij.

Ministria ka konstatuar se gjyqtari nuk ka deklaruar dhe ka pasaktësi të dukshme për 4 pasuri.  “Kjo shkelje e gjyqtarit klasifikohet nga nenet 33 pika 3 dhe  32 pika 2 shkronja ç) të ligjit nr. 9877/2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në RSH” si shkelje disiplinore shumë e rëndë që diskrediton rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit me pasojë shkarkimin nga detyra të gjyqtarit”, bën të ditur Ministria e Drejtësisë në një njoftim për mediat.

Kjo është kërkesa e 9-të e Ministrisë së Drejtësisë për procedimin disiplinor të gjyqtarëve të depozituar në KLD në vitin 2012.  Ajo vjen në vijim të procedimeve administrative inspektuese në gjyqësor, të kryera nga gjysma e dytë e vitit 2011 deri aktualisht, të cilat kanë përfunduar me kërkesa për procedim disiplinor të 9 gjyqtarëve, të cilët ushtrojnë detyrën e tyre në Tiranë, Durrës, Vlorë, Korçë, Elbasan, Berat, Kavajë dhe Kukës.  Llojet e masave disiplinore të kërkuara nga Ministri i Drejtësisë janë në raport të drejtë me shkeljet e kryera prej gjyqtarëve dhe variojnë nga masa “vërejtje” deri tek “shkarkimi nga detyra”.

Ndërsa për noterët, Ministria e Drejtësisë ka verifikuar ligjshmërinë e veprimtarisë noteriale lidhur me kontratat e shitjes së automjeteve me dokumentacion të huaj. Ministri i Drejtësisë ka filluar procedimin disiplinor për noterë në qytetet Tiranë, Durrës, Shkodër, Korçë dhe Lezhë.

a.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit