



Tiranë, 26 prill 2012, NOA- Në mbledhjen e sotme të Komitetit Kombëtar Drejtues të Lëvizjes Rinore për Integrim u miratuan dy kandidaturat për kreun e këtij forumi.
Siç raporton noa.al, dy kandidaturat, Endrit Braimllari dhe Klejdi Mehmetaj prezantuan sot para anëtarëve të KDK-së dy platformat e tyre ku sipas të cilave do të mbështesin dhe fushatën e tyre për këtë post.
Mësohet se 2 mijë delegat nga e gjithë Shqipëria do të votojnë për kandidatin e tyre të preferuar në 3 maj ku do të zhvillohet dhe Konventa Kombëtare Zgjedhore e cila do të mbahet më 3 maj në Pallatin e Kongreseve
Gjatë prezantimit të kandidaturave të pranishëm në mbledhjen KDK-së së LRI-së ishin nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, Kryetarja e LGI-së për Tiranën Monika Kryemadhi dhe kryetarja aktuale e LRI-së, Erisa Xhixho.
Në fjalën e hapjes Xhixho u shpreh se LRI erdhi si një lëvizje për t’i rikthyer të rinjve besimin tek politika dhe për t’i bërë të rinjtë faktorë në vendimmarrje. “Dëshironin të ishim të pavarur në ide, në iniciativa dhe aktivitete brenda Lëvizjes Socialiste për Integrim. Një nga ëndrrat tona më të mëdha ishte lëvizja e lirë e qytetarë shqiptarë për në BE dhe sot ndihemi shumë të lumtur që e gëzojmë këtë të drejtë dhe ndihemi të barabartë me bashkëmoshatarët tanë evropianë”, tha ndër të tjera Erisa Xhixho.
Më pas mbledhja e Komitetit Drejtues Kombëtar i Lëvizjes Rinore për Integrim vazhdoi me shpalosjen e platformave të kandidatë. Endrit Braimllari, i cili aktualisht është kryetar i Lëvizjes Rinore për Integrim për Tiranën, deklaroi se LRI ka qenë dhe do të jetë forumi i vetëm rinor në vend që do të mbështesë çdo iniciativë të rinisë shqiptare.
a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





