

Prishtinë, 276 prill 2012, NOA- Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe përfaqësues të kësaj force politike kanë zhvilluar një takim me Lars Wahlund ambasadorin e Suedisë në Shkup dhe Ingrid Johansson e ngarkuar me punë në Ambasadën e Mbretërisë Suedeze në Kosovë.
Gjatë këtij takimi Kurti paraqiti shqetësimin e Lëvizjes Vetëvendosje për situatën në Mitrovicë dhe në veri të Kosovës, posaçërisht për vrasjen e Selver Haradinajt përmes aktit terrorist ndaj familjes së tij.
Në vijim Kurti shpjegoi qëndrimin destruktiv të Serbisë në Kosovë dhe rreth saj si problemin kryesor, për zgjidhjen e të cilit nevojitet shumë më tepër trysni mbi Beogradin.
Nga ana e tij ambasadori Wahlund dhe zonja Johansson u interesuan për zgjidhjet që Lëvizja Vetëvendosje i sheh si të dobishme dhe të zbatueshme për të ndryshuar dhe normalizuar situatën në Mitrovicë.
Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje shpalosën qëndrimin e Lëvizjes se pa luftimin e strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë, para së gjithash të atyre të MUP-it serb, nuk mund të ketë integrim të qëndrueshëm institucional e shoqëror të pakicës serbe në Kosovë.
Kurti tha se kjo do të duhej të bëhej paralelisht me një plan për zvogëlimin e papunësisë në Mitrovicë dhe për zhvillimin ekonomik atje.
Në fund të këtij takimi siç informon noa.al, u bisedua edhe për zgjedhjet lokale në Ferizaj.
Sipas Xhelal Sveçlës zgjedhjet do të jenë test për këtë Qeveri dhe se kalimi i këtij testi nënkupton që të kemi jo vetëm zgjedhje të qeta, por edhe zgjedhje të lira, të ndershme, demokratike dhe pa manipulime.
Nga ana e tyre diplomatët suedezë thanë se ka shumë reforma që duhet të ndërmerren përgjatë procesit të integrimeve evropiane dhe shprehën përkrahjen e tyre për shtetin e Kosovës në rrugëtimin drejt integrimit.
a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





