

Tiranë, 26 prill 2012, NOA – Pasi hetimit të ndërmarrjes, Autoriteti i Konkurrencës konkludoi se shoqëria “Romano Port” SHA ka abuzuar me pozitën e saj dominuese në tregun e ofrimit të ngarkim-shkarkimit të Gazit të Lëngshëm të Naftës në zonën e Porto Romanos, duke tejkaluar detyrimet e saj ligjore, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Pas shqyrtimit të raportit të hetimit të thelluar nga sekretariati i AK-së dhe pretendimeve të ndërmarrjes “Romano Port” SHA, Komisioni i Konkurrencës vendosi me shumicë votash se “Gjatë hetimit u konstatua se ndërmarrja “Romano Port” duhet të ofrojë shërbimin e ngarkim shkarkimit të naftës, gazit, e nënprodukteve të tyre për çdo subjekt që paraqet këta dokumente tek autoritetet përkatëse: Dokument i lëshuar nga autoritetet doganore që lejojnë përpunimin e anijes; Dokument i lëshuar nga laboratori i kontrollit për cilësinë e produkteve që do të përpunohen; Dokument nga autoritetet mjedisore për plotësimin e kërkesave mjedisore; Dokument për pagesën e shërbimit që kryen porti”, thuhet në përfundimet e hetimit të kryer nga Autoriteti i Konkurrencës.
Sipas AK-së, shoqëria “Romano Port” i ka kërkuar ndërmarrjeve “Mare Oil” SHA dhe “Prima Gas Albania” SHA, që për të bërë të mundur shkarkimin e anijeve të tyre me GLN në Portin “Porto Romano”, edhe një sërë dokumentash shtesë duke tejkaluar detyrimet ligjore të saj.
Autoriteti i Konkurrencës bën me dije se shoqëria “Romano Port” ka zbatuar kushtet të pabarabarta për operatorë të ndryshëm për veprime tregtare të njëjta.
“Kjo kompani nuk ka kërkuar dokumenta shtesë për disa ndërmarrje, që veprojnë në fushën e importit dhe tregtimit me shumicë të naftës, të cilat gjatë periudhës objekt hetimi kanë marrë shërbimin e shkarkimit të naftës duke shfrytëzuar depozitat e tyre. Në këtë mënyrë “Romano Port” SHA, ka zbatuar kushte të pabarabarta për veprime tregtare të njëjta me palët, pavarësisht se operatorët e sipërcituar operojnë në tregje të ndryshme (depozitim dhe tregtim me shumicë të naftës dhe depozitim dhe tregtim me shumicë të GLN-së) duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme për të realizuar me eficence aktivitetet e tyre respektive”, thekson Autoriteti i Konkurrencës.
Gjithashtu, ndërmarrja “Romano Port” SHA ka kushtëzuar shkarkimin e anijeve me GNL me nënshkrimin e një kontrate tip, e cila i ngarkon me detyrime të tjera shtesë operatorët ekonomikë që duan të shkarkojnë produktet e tyre në depozitat që kanë ndërtuar në zonën bregdetare pavarësisht se një gjë e tillë nuk parashikohet as në marrëveshjen koncesionare dhe as në rregulloren e funksionimit të portit. Në disa nene të kësaj kontrate tip, Romano Port i kalon importuesve disa detyrime të cilat ligji ia ngarkon koncesionarit.
Si konkluzion, Komisioni i Konkurrencës vendos ta gjobitë për shkelje të rëndë ndërmarrjen “Romano Port” SHA në masën 2.35% të xhiros totale të kësaj ndërmarrjeje për vitin 2010, në shumën 6,735,419 lekë.
“Ky operator në mënyrë të përsëritur ka refuzuar të realizojë procesin e shkarkimit të GLN-së për operatorët që kanë investuar për kapacitet depozituese në pronësi të tyre duke paraqitur arsye të paligjshme dhe të paarsyeshme. Ky refuzim lidhet me interesat ekonomike të drejtpërdrejta të këtij operatori në tregjet e rrjedhës së poshtme pra, atë të depozitimit dhe të tregtimit me shumicë të GLN-së, duke sjellë kufizimin e konkurrencës në këto tregje. Kjo sjellje e ndërmarrjes “Romano Port” SHA, është abuzive, në kuptim të nenit 9, pika 2, (germa “c”) të Ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”
Për këtë arsye Komisioni i Konkurrencës, në bazë ligjit 9121 “për mbrojtjen e Konkurrencës”, vendosi me shumicë votash gjobitjen për këtë shkelje të rëndë të ndërmarrjes “Romano Port” SHA në masën 2.35% të xhiros totale të kësaj ndërmarrje për vitin 2010 që korrespondon me shumën 6,735,419 lekë”, nënvizohet më tej.
Komisioni i Autoritetit të Konkurrencës vendosi me shumicë votash të urdhërojë shoqërinë “Romano Port” SHA të mos kushtëzojë ofrimin e shërbimit të ngarkim-shkarkimit duke krijuar pengesa me sjelljen e saj ndaj ndërmarrjeve që operojnë në tregun e depozitimit dhe të importit e tregtimit me shumicë të GLN-së.
mit/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





