Transmetuar më 26-04-2012, 14:59

Uashington, 26 prill 2012, NOA – Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është arritja më e madhe e bashkëpunimit mes Shteteve të bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë.

Këtë e deklaroi në Uashington ambasadori Daniel Fried, ish-ndihmës Sekretar i Shtetit i SHBA-ve, gjatë takimit me kryeministrin Sali Berisha, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Gjatë takimit të zhvilluar dje në Uashington me të ngarkuarin e Posaçëm të SHBA-ve për mbylljen e burgut të Guantanamos, Daniel Fried, merrte pjesë edhe ambasadori i SHBA-ve në Tiranë Aleksandër Arvizu.

Daniel Fried i uroi përzemërsisht kryeministrit Berisha mirëseardhjen në SHBA-të dhe u shprehu të gjithë shqiptarëve urimet më miqësore për 100 vjetorin e Pavarësisë.

“Dy vendet tona kanë arritur bashkëpunime dhe suksese të mëdha së bashku. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një nga këto arritje të mëdha”, tha Ambasadori Fried.

Ai e uroi kryeministrin për evenimentin e rëndësishëm që do të zhvillohet në muzeun e Holokaustit dhe vlerësoi tolerancën e shkëlqyer fetare dhe ndëretnike të shqiptarëve gjatë historisë, si një rast vërtet unik.

Kryeministri Berisha, shprehu falenderimin e tij duke theksuar se “shqiptarët u janë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, qeverisë amerikane dhe popullit amerikan, për ndihmën dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë gjithë këtyre viteve, në të gjitha fushat. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është arritja jonë më e madhe, pas pavarësisë së saj”.

Ambasadori Fried e falenderoi Kryeministrin për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe kontributin që Shqipëria ka dhënë në rastin e të burgosurve të Guantanamos.

Në takim u rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera midis të dy vendeve, të bazuara mbi miqësinë e ngushtë e tradicionale midis të dy popujve e kombeve, si edhe vullneti dhe angazhimi për t’i zgjeruar e thelluar ato edhe më tej, në të ardhmen.

mit/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit