

Uashington, 26 prill 2012, NOA Update – Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton premtoi se do të vizitojë Tiranën për të festuar së bashku me shqiptarët 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Këtë premtim Sekretarja amerikane e Shtetit ia dha kryeministrit Sali Berisha gjatë vizitës së këtij të fundit në Uashington DC, e zhvilluar sipas kryeministrit edhe për qëllimin e ftesës për të vizituar Shqipërinë.
Kryeministria ka zbardhur takimin e kryeministrit Berisha me Sekretaren e Shtetit Clinton, i zhvilluar të mërkurën në orën 14.00 (ora lokale), në Departamentin e Shtetit, Washington DC.
Përpara takimit zonja Clinton dhe kryeministri Berisha për mediat.
Sekretarja amerikane e Shtetit vlerësoi gjatë fjalës së saj se Shqipëria është partnere e fortë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n.
“Është një nder të mirëpres Kryeministrin e Shqipërisë, këtu, në Departamentin e Shtetit. Kryeministri dhe vendi i tij kanë qenë partnerë të fortë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në NATO, si pjesë e misionit tonë në Afganistan dhe ne kemi një marrëdhënie të gjerë e të thellë që e vlerësojmë lart. Mezi pres të diskutoj me Kryeministrin Berisha për shumë çështje, për të cilat ne po punojmë si në aspektin dypalësh, rajonal dhe atë global. Zoti Kryeministër mirëserdhët!”, u shpreh Sekretarja Clinton.
Kryeministri Berisha teksa shprehu mirënjohjen për pritjen në DASH, theksoi se “Sekretarja Clinton është një mike e madhe e vendit dhe e kombit tim. Po ju rrëfej se një prej qëllimeve të këtij takimi është që t’i kërkoj të vijë në Shqipëri në 100 vjetorin e pavarësisë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur një rol themelor në të gjitha momentet më të vështira të historisë tonë. Kështu që çdo shqiptar do të jetë krenar dhe i lumtur për këtë vizitë”, tha kryeministri.
Ai u shpreh se me zonjën Clinton do të bisedonte për shumë çështje të interesit dypalësh.
“Shqipëria ka pasur privilegjin e jashtëzakonshëm të mbështetet nga ky vend i madh, nga administrata e Presidentit Obama, nga Sekretarja Clinton, në të gjitha përpjekjet e saj për të ndërtuar një demokraci të bazuar në lirinë e tregut. Faleminderit shumë”, tha zoti Berisha.
Më tej, Sekretarja Clinton dhe Kryeministri Berisha, me delegacionet që i shoqëronin vijuan takimin zyrtar, i cili zgjati mbi 40 minuta.
Clinton: Me Berishën, bisedë për 2 vendet dhe çështje globale (FOTOT)
Në bisedën e zbardhur nga zyra e shtypit e kryeministrisë, mësohet se Sekretarja Clinton i rikonfirmoi kryeministrit se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë të interesuara ta shikojnë Shqipërinë sa më parë vend anëtar të Bashkimit Europian dhe se do të vijojnë të mbështesin fuqishëm në këtë rrugëtim drejt BE-së, por edhe në të gjitha fushat e tjera të bashkëpunimit dypalësh”.
Kryeministri Berisha e falenderoi Sekretaren Clinton për pritjen e përzemërt dhe i shprehu asaj mirënjohjen më të thellë për të personalisht, për Presidentin Obama, qeverinë e SHBA-së dhe taksapaguesit amerikanë për mbështetjen e çmuar dhe ndihmën bujare që ata i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë, gjatë gjithë kësaj periudhe, në përpjekjet e saj për kapërcimin e vështirësive, ndërtimin e lirisë dhe vlerave të saj, konsolidimin e demokracisë funksionale të bazuar mbi ekonominë e tregut të lirë.
Gjatë bisedës, së zhvilluar në një atmosferë shumë të ngrohtë e miqësore, u rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera, të ngushta e miqësore midis të dy vendeve, si dhe u diskutua gjerësisht mbi zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit frytdhënës në të gjitha fushat. mit/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





