

Romë, 25 prill 2012, NOA- Pas propozimit për fejesë dhe nisjes së përgatitjeve për hapin e madh, një pjesë e mirë e italianëve bëjnë një ndalesë te banka…për të marrë kredi.
Sipas një sondazhi të PrestitiSupermarket.it, e bazuar në 15 mijë kërkesa të mbledhura gjatë 4 muajve të parë të vitit marrja hua për martesën është bërë një procedurë më se e zakonshme.
Ata që marrin borxh nuk janë vetëm çifti i ardhshëm por edhe krushqitë respektive, të cilët për të mos lënë asgjë mangët nga martesa përrallore janë të gatshëm të bëjnë gjithçka.
Siç informon noa.al, nga ky studim del se shumica e të pyeturve kërkojnë rreth 10 mijë euro borxh për banketin martesor, fotografitë dhe muajin e mjaltit dhe se kredia në fjalë duket se zgjat 5 vjet deri në shlyerjen e plotë të saj.
Sakaq mosha mesatare për marrjen e kredisë varion mes 26 dhe 30 vjeç, ku 28 % e çifteve marrin borxh për dasmën e tyre.
Por ajo që duket e veçantë nga ky studim është fakti se edhe 50 vjeçarët të cilët martohen në këtë moshë, duket se nuk kanë lënë lek mënjanë por se 18% e tyre drejtohen në bankë shumica për martesën e vet ndërsa një pjesë edhe për martesën e fëmijëve.
a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





