

Këngëtarja e njohur kosovare, Leonora Jakupi ka thënë se gjatë këtij viti është e angazhuar në shumë projekte. Këngëtarja pritet të jetë imazh zyrtar i një kompanie, do të realizojë një këngë me klip dhe po mendon edhe për album. Kësaj radhe, Leonora thotë se mund të ketë të reja edhe në jetën e saj sentimentale.
Viti 2012 do të jetë i mbushur plot punë për këngëtaren e njohur të estradës Leonora Jakupi.
Nuk do të jenë vetëm këngët, por edhe reklama për kompani serioze që ajo i ka futur në agjendën e saj.
Por, këngëtarja ka thënë se pavarësisht asaj që është thënë nëpër media se ajo duket ndryshe, prapë nuk ka ndryshuar dhe vazhdon të mbetet person i njëjtë sikurse ka qenë edhe më parë.
“Ndoshta për shkak se unë nuk jam pjesë e shpeshtë e lajmeve të botës virtuale, por asgjë nuk kam ndryshuar. Kam bërë disa foto që jam imazh i sfilatës së Valdrin Sahitit e po ashtu edhe pjesë e një reklame tjetër”, ka thënë Leonora në një bisedë për Express.
Bukuroshja drenicase nuk do të jetë imazh marketingu përderisa për Express ka thënë se këto nuk do të jenë risitë e vetme që Jakupi i ka menduar për këtë vit.
Leonora ka thënë se ka përfunduar incizimin e një këngë, të cilës pritet që së shpejti t’ia realizojë edhe videoklipin.
“Po, e kam një projekt që tashmë e kam realizuar dhe pritet që t’ia punoj edhe videoklipin. Kam menduar që këngën ta punoj me Max Production”, thotë Leonora.
Por, këngëtarja nuk është përgjigjur në pyetjen nëse do të ketë ndonjë befasi në këtë klip, sikurse kishte bërë me një klip në të kaluarën, ku Leonora kishte xhiruar në jaht, përderisa klipi i saj ishte përfolur shumë nëpër media.
“Kënga ka me pas ritëm, ndërkaq për ndonjë befasi të shohim, varet pak a shumë edhe prej buxhetit të klipit”, ka thënë ajo.
Këngëtarja këtë vit ka në plan të bëjë edhe një album të ri, edhe pse nuk e di se kur do ta editojë atë për publikun dhe adhuruesit e saj.
“Do të përpiqem që këtë vit ta bëj një album pasi që ka kohë që nuk e kam realizuar një të këtillë. Po përpiqem që pos ‘single’-ve të edituar më parë në të, të përfshij edhe këngë të reja dhe të realizoj një album pasi që ka kohë të gjatë që nuk kam realizuar një të këtillë”, ka thënë Jakupi për Express.
Eh..nga të gjitha këto befasi, Leonora ka thënë se mund të priten të reja edhe në jetën e saj private, konkretisht diçka nga jeta e saj sentimentale.
“Ndoshta nga gjithë këto të reja do të ketë ndonjë gjë të re edhe në aspektin e jetës time private”, ka thënë ajo.
Leonora vazhdimisht heziton të flasë shumë për jetën e saj private, gjë e cila shpesh ka bërë që këngëtarja të jetë pjesë e spekulimeve të ndryshme nga mediet shqiptare.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





