Transmetuar më 25-04-2012, 17:06

Një 33 vjeçar, i përkatësisë etnike shqiptar, ka marrë plagë vdekjeprurëse dhe një tjetër ka mbetur i plagosur, si rezultat i një sulmi të armatosur në qendër të qytetit në Mitrovicë, thuhet në një komunikatë të Policisë së Kosovës, për rastin që ndodhi sot në mesditë në Mitrovicë.

Rasti është regjistruar rreth orës 12:40min, të ditës së sotme, në rrugën “Shemsi Ahmeti” përkatësisht në afërsi të kishës ortodokse në Mitrovicë.

Një automjet, tip “Mercedes” me targa “RKS”, është identifikuar në vend të ngjarjes, ndërsa besohet se katër persona gjendeshin gjithsej në veturë në momentin kur të shtënat me armë zjarri janë drejtuar drejt automjetit nga personat e dyshuar.

Dyshohet se sulmuesit e armatosur, të cilët gjithashtu ishin në një veturë civile, tip “Opel Vectra” me targa vendore, fillimisht i kanë ndërprerë rrugën automjetit “Mercedes” ku ishin viktimat, ndërsa kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tyre derisa të njëjtit ishin ende në veturë.

Dy nga katër personat e sulmuar, sic raporton gazeta Express, kanë marrë plagë nga armë zjarri ndërsa janë dërguar në qendrën spitalore në Mitrovicë.

Viktima F.Islami 33 vjeçar, nga Mitrovica, është konfirmuar pa shenja jete në spitalin e Mitrovicës ndërsa i plagosuri tjetër V.T. 33 vjeçar, është dërguar me urgjencë në QKUK Prishtinë.

Njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës, kanë bërë sigurimin e vendit të ngjarjes ndërsa hetuesit policor kanë kryer ekzaminimin e vendit të ngjarjes nën udhëheqjen e Prokurorit Publik.

Dyshohet se së paku tri armë të ndryshme, të kalibrave të ndryshëm, përfshirë këtu edhe armë automatike, janë vënë në përdorim të këtij incidenti kriminal.

Trupi i pajetë i viktimës, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për obduksion.

Deri në këto qaste, nuk është raportuar për persona të arrestuar ndërsa sektori i hetimeve të krimeve serioze në Mitrovicë, në përkrahje të njësive të specializuara të Policisë së Kosovës përfshirë edhe njësitin K-9 të qenve të policisë, kanë realizuar kontrollin e disa lokacioneve në kërkim të dyshuarve të këtij akti kriminal.

Policia e Kosovës, është në kërkim të dyshuarve, identiteti të cilëve është i njohur për hetuesit policor.

Hetimet janë duke u ndjekur për të sqaruar rrethanat dhe motivet e rastit kriminal ndërsa janë intervistuar disa persona në cilësi të dëshmitarëve.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit