



Vlorë, 25 prill 2012, NOA – Një person i rrezikshëm, i arratisur nga burgu i Vogeras në Pavia të Italisë bashkë me dy të dënuarit, 31-vjeçarin Dritan Rexhepi e 34-vjeçarin Ylli Ndoi, është zbuluar dhe arrestuar në qytetin e Vlorës, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Ka qenë operacioni i koduar me emrin “I arratisuri”, i cili ka finalizuar prangosjen e 34-vjeçarit Leonard Tasim Myrtaj, banues në fshatin Trevllazër të rrethit të Vlorës.
Leonard Myrtaj ishte një shtetas i rrezikshëm dhe njihej për lidhjet e tij me Dritan Rexhepaj.
34-vjeçari Myrtaj ishte shpallur në kërkim nga Interpoli pasi Gjykata Penale e Firences e kishte shpallur fajtor duke e dënuar me 16 vjet, 11 muaj dhe 2 ditë burg për veprat penale “Posedim dhe shpërndarje lëndësh narkotike”, “Vjedhje”, “Rrëmbim personi”, “Ushtrim dhune kundër personave të tjerë, “Përdorim i dokumentave të falsifikuara” dhe “Hyrje e paligjshme në territorin Italian”.
Leonard Myrtaj në bashkëpunim me dy persona të tjerë, më 3 Tetor 2001 ka poseduar dhe shitur lëndë narkotikë, në bashkëpunim me persona të tjerë.
Në 11 Prill 2003 në Firenze Myrtaj ka vjedhur një automjet duke dhunuar pronarin e tij.
Po ashtu gjatë periudhës 17 dhe 18 Janar 2008 në bashkëpunim me dy persona të tjerë ka marrë peng një biznesmen italian, të cilin e ka keqtrajtuar dhe kërcënuar dhe më pas e ka lënë të lirë pasi i ka marrë shumën prej 12 mijë euro nga familjarët e tij.
Leonard Myrtaj akuzohet edhe për një sërë veprash penale të tjera.
Leonard Myrtaj pas dënimit dhe burgosjes, është arratisur nga burgu i Vogeras në Pavia të Italisë bashkë me dy shqiptarët e tjetë që po vuanin dënimin aty, 31-vjeçarin Dritan Rexhepi e 34-vjeçarin Ylli Ndoi.
Një grup hetimor në Prokurorinë e Vlorës po heton në lidhje me veprimtarinë kriminale të këtij Leonard Myrtaj edhe brenda territorit të Shqipërisë.
Prokuroria pritet të nisë edhe procedurat e mëtejshme për ekstradimin e Leonard Myrtaj përdrejt Italisë.
mit/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





