

Tiranë, 25 prill 2012, NOA Update – Hasan Gjergjeri emërohet në krye të Policisë së qarkut të Dibrës, pas pezullimit dhe dorëheqjes nga kjo detyrë të Shemsi Premçit, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Emërimi i Gjergjerit si kryepolic i Dibrës u krye nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj.
Ndërkohë kryepolici i Dibrës pas pezullimit nga detyra dy ditë më parë paraqiti sot dorëheqjen e tij.
Lajmin e pohuan për noa.al burime të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Shemsi Premçi vendosi të lërë detyrën për arsye, që për momentin nuk bëhen të ditura zyrtarisht.
Paraprakisht mësohet se Premçi ishte pezulluar nga detyra dy ditë më parë me urdhër të ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Policisë së Shtetit, për thyerje të disiplinës.
Shemsi Prençi ka drejtuar drejtorinë rajonale Dibër pasi më herët ka qenë drejtor në disa qarqe të vendit, sidomos në Korçë për një periudhë të gjatë.
Vitin e kaluar, në kulmin e fushatës elektorale, atëherë drejtori i forcave speciale të policisë shqiptare, Shemsi Premçi iu drejtua prokurorisë ku kallëzoi penalisht ministrin e Brendshëm të komanduar në detyrë në atë kohë, Avenir Peka, se e ka kërcënuar dhe i ka kërkuar të përdorë forcat speciale në mitingjet e fushatës.
Prokuroria pranoi kallëzimin penal dhe dy muaj më pas deklaroi se ka mbyllur çështjen.
e.t/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





