Transmetuar më 24-04-2012, 21:05

Berat, 24 prill 2012, NOA – Infektimi me sëmundjen e brucelozës i pjesëtarëve të dy familjeve Veçani e Hoxha në fshatin Bistrovicë të Beratit ka bërë që Ministria e Bujqësisë në bashkëpunim me projektin PAZA, i BE-së të nisë fushatën Kombëtare të Vaksinimit të Bagëtive të Imta kundër sëmundjes së brucelozës, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Pak ditë më parë u bë publik fakti se sëmundja e brucelozës, që vjen nga bagëtitë e pavaksinuara, kishte prekur dy familje në qarkun e Beratit.

Nga bruceloza janë infektuar pesë pjesëtarë të dy familjeve Veçani dhe Hoxha, përkatësisht Shkëlqim Veçani 52 vjeë, Luan Veçani 22 vjeç  dhe djali vogël 12 vjeçar, ndërsa nga familja Hoxha janë infektuar me brucelozë Fatmira Hoxha 50 vjeç dhe djali i saj, Hasan Hoxha 28 vjeç.

Të sëmurët thanë se ishin infektuar pak kohë pasi kishin blerë disa kokë dhi në Tepelenë, ku mendohet të jetë shfaqur edhe vatra e sëmundjes.

Aksioni i vaksinimit të bagëtive nisi paraditen e të martës në fshatin Fushë – Peshtan të Beratit, ku të pranishëm ishin edhe zëvendësministri i Bujqësisë, Tokli Thomai, si dhe zyrtarë të Bujqësisë dhe Shëndetit Publik në qarkun e Beratit.

Zv/ministri Thomai tha se kjo fushatë vaksinimi po bëhet mbi një model të ri evropian.

Ai nënvizoi se sektori i blegtorisë do t’i nënshtrohet dixhitalizimit, duke i garantuar vendorët se do të kenë mbështetjen e dikasterit të Bujqësisë për përshtatjen e parametrave evropianë.

Sipas Thomait përshtatja me parametrat europianë është tejet me rëndësi më kushtet kur 73 % e eksporteve të vendit në blegtori shkojnë drejt vendeve të BE-së.

Zv/ministri i Bujqësisë lajmëroi se në këtë fushatë do të vaksinohen rreth 2 milionë krerë bagëti të imta në vend.

Në qarkun e Beratit mësohet se janë matrikuluar deri më tani 25 mijë krerë bagëti, ndërkohë që janë rregjistruar 22 mijë ferma blegtorale, dhe janë vaksinuar rreth 200 mijë krerë bagëti.

Ky aksion vaksinimi në kuadër të programit PAZA të shtrihet në të gjitha fshatrat e Beratit.

mit/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit