Transmetuar më 24-04-2012, 19:08

Athinë, 24 prill 2012, NOA/ Arben Llalla – Kampioni olimpik, peshëngritësi i njohur Pirro Dhima është përzgjedhur si një nga 12 kandidatët e listës së PASOK-ut për deputet në Parlamentin e Greqisë, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në Greqi më 6 maj do të kandidojnë disa minoritarë grekë, të cilët gëzojnë shtetësi të dyfishtë, atë shqiptare dhe greke.

Kështu, Pirro Dhima është në krye të listës për deputet nga radhët e Partisë Socialiste PASOK.

Ka qenë vetë kryetari i PASOK-ut Evangjelos Venizellos, i cili i ka telefonuar Pirro Dhimës, që ndodhet për momentin në SHBA për të mbledhur fonde për shkollën greke të Himarës “Omiros”.

Pirro Dhima me të mbërritur në Greqi do të ketë një takim me kryetarin e PASOK-ut Venizellos.

Burime nga kjo parti bëjnë me dije se Pirro Dhima e ka pranuar ofertën.

Në listat e PASOK për deputet do të jetë edhe Milica Joti, e cila është nga fshati Cerkovica i Sarandës.

Ajo do të kërkojë votat për deputete në zonën e parë të Athinës.

Athina Kremidha nga Saranda do jetë kandidate për deputete në listën e partisë ekstremiste të djathtë LAOS, në zonën e dytë të Pireut.

Athinaja është anëtare e shoqatës Rinia e Vorio Epirit, një organizatë ekstremiste, e cila punon për Autonominë e Vorio Epirit.

Partia “Demokracia e Re” e Antoni Samaras ka në listat e saj për deputetë, Aleksandër Anagnostin, i cili është nga fshati Kalivia i Sarandës.

Aleksandër Anagnosti konsiderohet si kandidati më serioz nga kandidatët e tjerë, të cilët i përkasin minoritetit etnik grek të Shqipërisë.

Ai nuk ka qenë aktiv në asnjë nga aktivitetet, që organizojnë shoqatat e minoritetit grek me qëllimet dashakeqësi në dëm të Shqipërisë, për këtë arsye kandidimi i tij në radhët e “Demokracisë së Re” nuk është parë me sy të mirë nga qarqet ekstremiste të minoritetit grek.

Sipas parashikimeve të sigurt, që mund të zgjidhen deputetë për në Kuvendin e Greqisë janë Pirro Dhima nga partia e PASOK-ut dhe Aleksandër Anagnosti nga “Demokracia e Re”.

Këtë e përcakton edhe renditja e tyre në krye të listës.

Sipas analistëve, oferta që u është bërë minoritarëve grekë për të patur qasje direkte në Parlamentin e Greqisë, do të ndihmonte Shqipërinë në qartësimin e çështjeve madhore që lidhen me shqiptarët që jetojnë jashtë kufirit shtetëror.

mit/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit