Transmetuar më 22-04-2012, 17:44

Prishtinë, 22 prill 2012, NOA- Në organizim të Forumit të Rinisë së Lidhjes Demokratike te Kosovës, dhe me iniciative të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, në Prishtinë u mbajt takimi i forumeve rinore të partive politike shqiptare nga të gjitha trevat etnike shqiptare.

Siç raporton noa.al, në takim morën pjesë 12 forume rinore, ku u biseduan dhe u listuan një numër i aktiviteteve që të rinjtë e partive politike shqiptare do të organizojnë për të shënuar 100 – vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Në hapje të këtij takimi, kryetari i FR LDK-së Xhafer Tahiri lexoi një deklaratë në emër të FR LDK -së si mikpritës i takimit.

“Në këtë përvjetor të rëndësishëm të rinjtë shqiptarë kanë bindjen e thellë se drejtësia, paqja, harmonia dhe bashkëpunimi ndërmjet  kombeve janë ndër  vlerat  më  të  larta  të njerëzimit. Shënimi i 100- vjetorit të shtetit shqiptar është shkas i këtij takimi, i cili do të vazhdoj përtej shënimit të kësaj date.  Liria, është e arritura më e madhe e jona në këto 100 vite. Pavarësia e Kosovës, padyshim paraqet arritjen e një qëllimi të lartë për të cilën u sakrifikuan breza të tërë në Kosovë, që sublimohen në figurat e ndritura të Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit. Sot, sfida jonë është të bashkëmoshatarët tanë në Luginë të Preshevës të vazhdojnë të qëndrojnë në tokat e tyre të lirë, dhe të ndihmojmë të rinjtë në Malin e Zi që të ruajnë dhe kultivojnë identitetin e tyre kombëtar”, u shpreh Tahiri, raporton noa.al.

Mësohet se Lidhja e Forumeve Rinore Mbarëshqiptare është emri me të cilën do të shënohen aktivitetet e forumeve rinore shqiptare për shënimin e 100 – vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i FRPD, Gerti Bogdani, tha se “Ky vit shënon ngjarjen më të rëndësishme në historinë e Ballkanit, 100 vjetorin e Pavarësisë së shqiptarëve. Ndaj, është shumë e rëndësishme që sot jemi mbledhur të gjithë së bashku për të bashkëpunuar, pa dallim dhe ndasi, dhe nuk ka se si të jetë ndryshe, sepse ngjyrat e flamurit kombëtar janë pikë bashkimi"

Të rinjtë e partive politike shqiptare nga të gjitha trojet etnike u pritën nga kryetari i LDK-së,  Isa Mustafa si dhe nga ministri i Kulturës, Memli Krasniqi.

Të rinjtë e partive politike shqiptare nga të gjitha trojet etnike bënë vizitë dhe homazhe te varri i presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova dhe u pritën nga familja Rugova.

Takimi i të rinjve të partive politike shqiptare nga të gjitha trojet etnike përfundoi me vizitë homazhe te varrezat e dëshmorëve në Prekaz, te varri i  Komandantit Legjendar të UÇK-së Adem Jashari.

a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit