

Tiranë, 22 prill 2012, NOA- Sipas MeteoAlb, deri në mesditë, vendi ynë do të dominohet nga kthjellime dhe vranësira të lehta në zonat e ulëta dhe bregdetare ndërsa vranësira më të dendura do të ketë në zonat veriore dhe verilindore ku do të gjenerojnë edhe shira të izoluar.
Pjesa e dytë e ditës do të vijojë me kthjellimet në pjesën më të madhe të territorit të vendit por sërish zonat malore verilindore do të mbeten të rrezikuara nga vranësira dhe shira të karakterit lokal. Parashikohet që në mbrëmje dhe gjatë natës i gjithë vendi të jetë me kthjellime dhe vranësira të lehta.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje me 2 gradë si në vlerat e mëngjesit edhe në ato të mesditës.
Era do të fryjë e lehtë në tokë dhe në det me shpejtësi 27 km/h nga drejtimi kryesisht Perëndimor, kjo do të bëjë që dallgëzimi në det të jetë i ulët.
Europa
Nesër, vendet Nordike dhe ishujt britanike do të dominohen nga vranësira dhe reshje të konsiderueshme shiu, të cilat gjatë pasdites do të përfshijnë edhe Europën qendrore. Gjithashtu me mot të paqëndrueshëm do të paraqiten pellgu i Mesdheut dhe zona e Alpeve pasi vranësirat dhe shirat do të jenë dominuese gjatë gjithë ditës, kjo si rezultat i prezencës së një qendre me presion të ulët atmosferik në veri të Italisë. Vranësira dhe shira do të ketë në Europën verilindore dhe juglindore por intensiteti i tyre do të jetë disi më i ulët. Me mot të kthjellët do të jetë Europa jugperëndimore si edhe një pjesë e Ballkanit.
a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





