Transmetuar më 21-04-2012, 17:29

Burrel, 21 prill 2012, NOA – Ndërsa partitë e vogla kanë rritur presionet ndaj dy partive të mëdha, PS e PD për ndryshimin e sistemit zgjedhor, për të cilin pritet të diskutohet gjatë javës së ardhshme në Komisionin për Reformën Zgjedhore, Lëvizja Socialiste për Integrim deklaron se preokupim i saj mbetet vota e fshehtë dhe e barabartë e shqiptarëve dhe garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Luan Rama deklaroi sot në rrethin e Matit se LSI nuk ka problem as me sistemin, as me reformën dhe as me zgjedhjet.

“Reforma zgjedhore të na çojë të gjithëve tek zgjedhje në përputhje me standardet ndërkombëtare, me rekomandimet e OSBE-ODIHR-it dhe që më në fund Shqipëria të mos vazhdojë të jetë vendi i vetëm në Europë që problemet me zgjedhjet. LSI-ja ka vetëm këtë preokupim: barazinë e votës dhe reformë zgjedhore që të garantojë proces zgjedhor korrekt, të paanshëm dhe demokratik”, theksoi Rama.

Rama nënvizoi se reforma zgjedhore duhet të ndreqë ndërhyrjet deformuese që iu bënë Kodit Zgjedhor dhe Kushtetutës, mes PD-së dhe PS-së në vitin 2008.

“Nuk kemi ndryshuar qëndrim përkundrazi vazhdojmë të jemi të investuar maksimalisht që komisioni i posaçëm kuvendor që merret me reformën zgjedhore të bëjë të mundur që reforma të arrijë të barazojë vlerën e votës së çdo qytetari shqiptar pavarësisht se ku voton, në Mat, në Dibër, në Shkodër, Tropojë, në Tiranë apo Gjirokastër”, tha Rama.

Luan Rama ripërsëriti se LSI nuk është pjesë e mazhorancës vetëm për të garantuar numrat e ekzistencës së qeverisë.

“Ne jemi pjesë e rëndësishme e të gjitha proceseve dhe reformave që lidhen me plotësimin e 12 kushteve që janë të domosdoshme të përmbushen në kuadër të procesit të integrimit evropian të vendit, që Shqipëria të meritojë statusin e vendit kandidat”, sqaroi Sekretari i LSI-së.

Ai shtoi se “retorika e PS-së për të përndjekurit politikë, për ish pronarët, për rikthim të një flirti apo të një raporti me ta, është e tëra hipokrizi”.

Ndërkohë, Luan Rama i pranishëm në takimin mes kreut të LSI-së Ilir Meta dhe ish-liderit historik të së majtës Fatos Nano, theksoi se zgjedhja e Presidentit të Republikës  është proces vendimtar për integrimin e vendit.

“Procesi i zgjedhjes së Presidentit duhet të jetë serioz, që të kontribuojë në tërësinë e reformave të integrimit evropian të vendit, sepse edhe nga mënyra se si ne do të sillemi dhe se si politika shqiptare do të reflektojë në zgjedhjen e Presidentit të Republikës do të reflektohet në vlerësimin e partnerëve tanë ndërkombëtare karshi Shqipërisë. Zgjedhja e Presidentit nuk është sfidë emrash apo sfidë partish por është sfida e radhës e politikës shqiptare përballë interesave evropiane të vendit ashtu siç është sfidë për politikën shqiptare reforma zgjedhore apo edhe tërësia e 12 kushteve që duhet të përmbushë Shqipëria për të merituar ftesën për statusin e Vendit Kandidat për në BE”, tha Luan Rama.

mit/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit