

Mirditë, 21 prill 2012, NOA – Llesh Karrica, babai i gjashtë fëmijëve, i mbytur në lumin Fan të Mirditës, të premten, nuk është gjetur ende nga polumbarët e policisë, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Polumbarët kanë kërkuar gjatë tërë ditës së shtunë për trupin e pajetë të 45-vjeçarit, por pa asnjë rezultat.
Prurjet e mëdha të ujit në lumin Fan për shkak të reshjeve të shiut pamundësojnë kërkimet për gjetjen e trupit të Karricës, andaj ato janë ndërprerë disa minuta më parë.
Llesh Karrica, nga fshati Simon i komunës Kaçinar në Mirditë po kthehej për në shtëpi natën e të premtes dhe teksa po kalonte mbi lumin Fan, e ka marrë me vete rryma e ujit duke i marrë edhe jetën.
Familja e tij kërkoi ndihmën e komunës dhe të policisë për gjetjen e kryefamiljarit.
Por, duket se prurjet në lumin Fan e bëjnë të pamundur deri më tani kërkimin për nxjerrjen nga uji të trupit të pajetë.
mit/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





