




Tiranë, 20 prill 2012, NOA – Kryetari i Qeverisë u bë sot një nga aksionistët qytetarë, që nën moton “Shqipëria e pastër”, iu bashkuan aksionit kombëtar për pastrimin e vendit nga mbeturinat urbane, aksion i thirrur nga ai vetë pak javë më parë, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Kryeministri Berisha, me një palë doreza në dorë iu bashkua aktiviteteve të komunitetit të bashkisë Kamzë, në Tiranë.
Fillimisht, kryeministri inspektoi rehabilitimin e vendgrumbullimit të mbetjeve urbane, dikur një terren tepër problematik e i rrezikshëm.
Ai vlerësoi punën e bërë nga pushteti lokal në Kamzë për t’i dhënë zgjidhje një prej situatave tepër problematike në afërsi të Kamzës e Tiranës, e krijuar nga depozitimet 20 vjeçare të dhjetëra e mijëra tonëve hedhje e mbetura të rrezikshme.
“Tani ky terren është shndërruar në shesh të gatshëm për ndërtimin e një prej landfilleve më modern të vendit. Ju e dini se Kamza është sot, qyteti i 6-të më i madh i vendit dhe në këtë qytet, nga viti 2005 dhe në vazhdim janë ndërtuar rreth 80 kilometra rrugë të reja, 21 shkolla e kopshte, është ndërtuar një nga pallatet e kulture ndër më modernet në Shqipëri, është rindërtuar stadiumi dhe lehtësira të tjera. Unë dua ta përgëzoj zotin Mziu [kryetari i bashkisë Kamzë] për veprimin e tij energjik ndaj këtij hot spoti të vërtetë dhe dëshmi se si një bashki me kapacitetet e veta e trajton atë në mënyrën më të përgjegjshme dhe nga kjo situatë ka mbetur një pjesë e vogël, në të cilën po depozitohen mbetje,” u shpreh kryeministri.
Ai iu bashkua mandej komunitetit lokal të lagjes numër 1, në hyrje të qytetit, në pastrimin e territorit të saj, mbjelljen e pemëve dekorative dhe vendosjen e sistemit të ri të grupit të kazanëve me seleksionimin e mbeturinave.
Aksioni qytetar vijoi me mbjelljen në mënyrë simbolike, nga kryeministri, të një palme në qendër në Kamzës.
Në përfundim të tij, kryeministri Berisha falenderoi qytetarët e Kamzës, të cilët, edhe në kushte jo të favorshme atmosferike, iu përgjigjën thirrjes për pastrimin e territorit ku ata banojnë dhe u bashkuan në këtë aksion ndërgjegjësues për rëndësinë e një mjedisi të pastër.
Kryeministri gjatë bashkëbisedimit me nxënës e të rinj të përfshirë në këtë aksion, i ftoi të rinjtë të bëhen promotorë të një mjedisi të pastër.
“Edhe një herë, kjo ditë, që siç e shihni edhe Zoti është me ne e po na ndihmon, të na ftojë të gjithëve për një qëndrim të ri ndaj mjedisit ku jetojmë, ndaj komunitetit ku jetojmë, për një vendim që të mos hedhim përveçse në vendet e caktuara, mbetje e hedhurina që ndotin mjedisin ku jetojmë dhe bëhen burim infeksioni dhe kërcënim i vërtetë për jetën tonë”, apeloi shefi i qeverisë.
mit/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





