Transmetuar më 19-04-2012, 15:13

Tiranë, 19 prill 2012, NOA- Në kuadër të programit “Edukimi dhe reduktimi i kërkesës për drogë dhe substancat e tjera të rrezikshme” në shkollat 9-vjeçare të Tiranës i nisur në muajin dhjetor në dhjetra shkolla, ditën e sotme u ndal në shkollën 9 vjeçare “Pjetër Budi”.

Siç raporton agjencia e lajmeve noa.al, gjatë një ore mësimi asistuan Shefi i Programit ICITAP, Ambasada Amerikane në Tiranë dhe drejtues të policisë së kryeqytetit, përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, përfaqësues të Drejtorisë Arsimore dhe Koordinatorët e Programit.

Siç informon agjencia e lajmeve noa.al, gjatë fjalës së tij, Steve Bennett Shefi i Misionit ICITAP duke vlerësuar arritjen e deritashme të këtij programi, theksoi se ky program do të vazhdojë të mbështetet nga Ambasada Amerikane në Tiranë dhe do të zhvillohet më tej nga strukturat e arsimit dhe të policisë shqiptare.

Programi do të finalizohet me Ekspozitë në muajin Maj 2011 “Ditën Ndërkombëtare Kundër Duhanit” në një vend të hapur për publikun, me vizatime dhe punime me te mira nga vetë nxënësit përfitues të këtij programi të secilës shkollë, ku pjesëmarrës do të jenë edhe aktorët bashkëpunues.

Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë e vlerëson realizimin e këtij programi për herë të parë në vendin tonë, si një produkt mjaft pozitiv që i shërben mbrojtjes se fëmijëve, familjes dhe shoqërisë nga fenomenet negative të duhanit, alkoolit, marijuanës etj, dhe si një filozofi të drejtpërdrejtë të Policimit në Komunitet.

Programi synon që të implementohet në të gjitha shkollat 9-vjeçare të Tiranës, dhe që kjo eksperiencë pozitive të transmetohet edhe në shkollat e tjera të vendit tonë.

Mësohet se gjatë muajit Prill 2012, sipas grafikut nxënësit e klasave të 6-ta, përfitues të këtij programi janë duke prezantuar punimet e tyre artistike nëpërmjet një konkursi midis klasave, ku po zgjidhen vizatimet më të mira të çdo shkolle.

a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit