Transmetuar më 19-04-2012, 10:40

Tiranë, 19 prill 2012, NOA- Kryeministri i vendit Sali Berisha Berisha priti në takim një delegacion të drejtuesve të shërbimeve ushtarake të Inteligjencës së NATO-s, konkretisht Fhlip L. Ritcheson, Drejtor i Divizionit të Inteligjencës në NATO HQ, Bruksel dhe njëkohësisht Kryetar i Komitetit Ushtarak të Inteligjencës së NATO-s, Admiralin Norman. R Hyes, Drejtor i Zbulimit Ushtarak të Komandës Amerikane për Evropën, si dhe Admiralin në pension David Ellison, President i Universitetit Kombëtar të Inteligjencës, SHBA,  të cilët ndodhen për një vizitë të shkurtër në Shqipëri.

Siç raporton noa.al, në takim merrte pjese edhe drejtori i Shërbimit Informativ Uushtarak, kolonel Ylli Zyla.

Gjatë takimit Kryeministri Berisha i falënderoi mysafirët për bashkëpunimin dhe për mbështetjen që institucionet që ata përfaqësojnë i kanë dhënë Shqipërisë dhe shërbimeve informative të saj, në veçanti për sa i përket bashkëpunimit të shërbimeve të inteligjencës në kuadër të pjesëmarrjes së trupave shqiptare në misionet e NATO-s dhe ISAF në Afganistan.

Nga ana e tyre Ritcheson, Hyes dhe Ellison e siguruan Kryeministrin se institucionet që ata përfaqësojnë, do të vijojnë të bashkëpunojnë ngushtësisht dhe do të mbështesin Shqipërinë dhe shërbimet e saj informative, në veçanti SHIU-n në të gjitha aspektet e marrëdhënieve të shkëlqyera të bashkëpunimit që ka ndërtuar me këto agjenci gjatë kësaj periudhe, si për sa i përket shërbimit të informacionit, ashtu edhe në fusha të tjera që kanë të bëjnë me trajnimin.

Në vijim ata  vlerësuan kontributin real dhe të rëndësishëm të Shqipërisë, në luftën kundër terrorizmit si dhe për forcimin e paqes dhe stabilitetit në Afganistan dhe i shprehën mirënjohjen më të thellë të agjencive që ata përfaqësojnë dhe të SHBA-ve  për këtë kontribut,  por njëkohësisht edhe vlerësimin më të lartë për sakrificën e një prej efektivave të shkëlqyer të forcave speciale shqiptare, kapiten Feti Voglit.

Më tej ata vlerësuan punën që njësitë e Forcave të Armatosura  shqiptare po bëjnë në Afganistan dhe e siguruan Kryeministrin se agjencitë që ata përfaqësojnë janë plotësisht të angazhuara dhe do të vijojnë bashkëpunimin frytdhënës me SHIU-n shqiptar për tu ofruar udhëheqësve politike dhe vendimmarrësve ushtarakë, informacionin më të saktë dhe në kohën më të përshtatshme të mundshme  për ti ndihmuar ata në detyrën dhe vendimmarrjet e tyre të rëndësishme, në mënyrë që misioni në ndihmë të Afganistanit dhe popullit të këtij vendi të kurorëzohet me sukses.

a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit