Transmetuar më 18-04-2012, 20:44

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), shpreh indinjatën për sjelljen e fundit të organeve shtetërore greke që sapo kanë kthyer në kufi gjyqtarët dhe prokurorët e Korçës duke ndërmarrë kështu një hakmarrje të ulët ndaj zyrtarëve të drejtësisë shqiptare që në mënyrë të ligjshme dënuan shkelësin e ligjit, shqiptari bukëshkalë tashmë të arratisur Naum Disho.

Ky aleancim me shkelësin e ligjit në arrati z. Disho dhe nëpërkëmbje e përfaqësuesit të organeve të ligjit bie ndesh jo vetëm me parimet e promovuara nga Bashkimi Evropian por edhe me parimet bazë të funksionimit të një shteti mesatar të lirë e demokratik, – vlerëson PDIU.

Në fund vijon reagimi i plotë nga PDIU:

Çfarë ndodhi në kufi

Bllokohen në Kapshticë gjyqtarët e prokurorët e “Boboshticës”. Shpëton vetëm gjykatësi që votoi pafajësinë. Grekët: Jeni rrezik për rendin kushtetues

“Hakmarrje kolektive” përfaqësuesve të Drejtësisë në Korçë për dënimin me burg të kreut të OMONIA-s, Naum Disho. Asnjë pikë kufitare me Greqinë nuk lejon kalimin në shtetin fqinj të gjyqtarëve të Shkallës së Parë, të Apelit apo prokurorëve të kësaj çështjeje. Një listë “e zezë” me emrat e tyre ndodhet në duart e kontrollorëve grekë prej vitit të shkuar, por ky fakt është nxjerrë në dritë vetëm pas bllokimeve që u janë bërë përfaqësuesve shqiptarë të Drejtësisë. “Rrezik për rendin kushtetues të Greqisë”, ka qenë argumenti i kufitarëve grekë, të cilët kanë shpallur të padëshiruar gjyqtarët dhe prokurorët e Korçës, duke shkaktuar skandalin e radhës në marrëdhëniet mes dy vendeve. Të parët që janë përballur me këtë dënim për shkak të detyrës kanë qenë gjyqtarët, mes tyre vetë kryetarja e Gjykatës së Apelit të Korçës, Entela Prifti, gjyqtarja tjetër e Apelit, Brunilda Malo, si dhe përfaqësuesja e trupit gjykues në Shkallën e Parë të Korçës, Afërdita Maho. Këtë fakt e konfirmon kryetarja e Gjykatës, Entela Prifti, e cila nuk ka bërë komente të tjera për gazetën, në pritje të ndjekjes së rrugës institucionale. Nga burime të brendshme në Gjykatën e Korçës mësohet se vetë Prifti është përballur dy javë më parë me këtë situatë, pasi u bllokua në pikën kufitare të Kapshticës. Bashkë me gjyqtaren Malo, ajo ka qenë pjesë e treshes së trupit gjykues që dha vendimin për Naum Dishon në Apel, më 10 janar të këtij viti, duke lënë në fuqi dënimin me 1 vit heqje lirie me akuzën e dhunimit të varreve në Boboshticë. Ndërsa pasditen e së hënës, ndëshkimi ka qenë për gjyqtaren Afërdita Maho, e cila më 9 qershor të vitit të shkuar dha dënimin e parë për Naum Dishon, duke e shpallur zyrtarisht fajtor për ndërtimin në varrezat e Boboshticës në Korçë. Bashkë me familjarët e saj, Maho ka dashur të kalojë për qëllime private në Greqi, por pasi të tjerët kanë lënë dokumentet dhe nuk u kanë nxjerrë probleme, gjatë kontrollit ka ngecur pasaporta e gjyqtares Maho. E njëjta skenë është paraqitur si dhe për rastin e dy kolegeve të saj të Apelit. Një fletë ku shënoheshin në greqisht dhe shqip motivet e refuzimit të hyrjes në Greqi, u është paraqitur atyre, ndërsa është vënë kryqi në vendin ku citohej se personi paraqet rrezikshmëri, pasi cenon rendin kushtetues të shtetit grek. Në këtë mënyrë është bërë kthimi pas i gjyqtareve të çështjes së Naum Dishos. I vetmi që i ka shpëtuar “dënimit” ka qenë gjyqtari i Apelit, Stavri Kallço, i cili në janar të këtij viti dha vendimin e tij për ta shpallur të pafajshëm kreun e organizatës OMONIA në Korçë. Kallço ka qenë kreu i treshes së trupit gjykues në Apel, bashkë me Priftin dhe Malon. Në seancën e datës 10 janar 2012, një votë e Kallços ka qenë për pafajësinë e Dishos, ndërsa anëtaret e tjera të trupit gjykues kanë votuar për dënimin e kreut të OMONIA-s. Vendimi ka qenë përcaktues për fatin e Dishos, i cili nga ai moment është person në kërkim nga Policia e Korçës. E njëjta situatë në kufi deklarohet se është dhe për prokurorët që kanë ndjekur çështjen “Boboshtica”, ndonëse nuk ka të dhëna nëse ata kanë tentuar të kalojnë kufirin për në Greqi gjatë kësaj kohe. Ajo që pohohet nga burimet është se lista ekziston në pikat kufitare me emrat e përfaqësuesve të Drejtësisë, të cilët po ndëshkohen kolektivisht pse kryen detyrën, të argumentuar sipas fakteve dhe denoncimit të vetë banorëve të fshatit Boboshticë.

Arrestimi Pak ditë pas vendimit të Gjykatës së Apelit, Policia e Korçës shpalli Naum Dishon person në kërkim. Me gjithë kërkimet që janë kryer për arrestimin e kreut të organizatës OMONIA në Korçë, ai nuk është gjetur për t’u ballafaquar me Drejtësinë. Aktualisht, çështja e arrestit të Dishos ka kaluar disa shkallë dhe tashmë ndodhet në Gjykatën e Lartë, bashkë me dosjen e dënimit të tij me 1 vit burg. Nga ana e Dishos kërkohet pafajësi, duke pretenduar se nuk ka kryer asnjë shkelje.

VIDEO: Skandal, Greqia kthen në kufi gjyqtarët që dënuan kreun e OMONIA

Lista Precedentët e krijuar së fundit në kufirin grek, duke bllokuar përfaqësuesit e Drejtësisë shqiptare hedh dyshimet për ekzistencën prej muajsh të një liste me emrat e tyre. Tri rastet e gjyqtareve e konfirmojnë këtë fakt. Vetë ato nuk kanë bërë deklarata publike, në pritje për ta zgjidhur në mënyrë institucionale këtë problem. Gazeta Panorama publikoi sot se i siguroi në rrugë jozyrtare këto të dhëna, duke e cilësuar si akt të paprecedent, sidomos në kushtet e dy shteteve demokratike.

Më poshtë vijon reagimi nga PDIU:

Ky veprim i ulët është një përshkallëzim i sjelljes aspak dinjitoze të deritanishme të autoriteteve kufitare greke ndaj shtetasve shqiptarë që kanë lindur në trojet autoktone shqiptare të Çamërisë flet për një axhendë të qartë shoviniste qe po përvijohet në nivele shtetërore greke që vë në pikëpyetje jo vetëm fqinjësinë e mirë në rajon por edhe nivelin e modernitetit të këtij shteti. A mos vallë edhe kësaj radhe bëhej fjalë për një rast të ngjashëm me mos-njohjen e toponimeve tona çame prej shtetit grek dhe kërkohet që në dokumentat e zyrtarëve tanë të shkruhet "dhikastis" dhe " isangjeleas" në vend të gjykatësit dhe prokurorit?

Ne kërkojmë nga ministria jonë e jashtme që të kërkojë sqarime për aktin më të fundit të pahijshëm ndaj përfaqësuesve të institucioneve tona të drejtësisë dhe gjithashtu do vihemi në kontakt me organizatat greke të të drejtave të njeriut që të bëjnë presion ndaj shtetit të tyre që mos të rrëshqasë në forma arkaike të shovinizmit prej frustrimit që vjen nga kriza ku elita aktuale politike e ka zhytur vendin fqinj. Ne bëjmë thirrje që I arratisuri Disho të ekstradohet për tu ballafaquar me dënimin e ligjshëm që ka marrë përndryshe do të bëjmë presion që shteti shqiptar të rishikojë marrëdhëniet bilaterale në fushën e rendit, drejtësisë dhe sigurisë me Greqinë duke iu përmbajtur kryekëput parimit të reciprocitetit. Ne jemi të bindur që në këtë aspekt është Greqia ajo që humbet dhe po ashtu s’kemi fije dyshimi që nëse ky shtet vijon me këtë sjellje arrogante, ai ka për të humbur respektin dhe influencën jo vetëm mes trojeve shqiptare por në mbarë rajonin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit