Transmetuar më 18-04-2012, 20:38

Edhe njëherë për linjën 400 kilovolt të furnizimit me energji të Kosovës nga Shqipëria. Fatkeqësisht, kryeministri provoi se është regjisori i bllokimit njëvjeçar të projektit, nëpërmjet badigardit të tij të vendosur në krye të OST-së, pa asnjë kriter tjetër veç fanatizmit në zbatimin e urdhrave antiligjorë të kryeministrit

SHIKONI DHE VIDEON

Nga Edi Rama

Kryeministri foli për klithëm të mafies, duke akuzuar “de fakto” si zëdhënës të mafies Bankën e madhe KFË, që përfaqëson interesat e donatorit të fuqishëm dhe bujar të Shqipërisë, Gjermaninë, gazetën kosovare “Zëri”, që ka publikuar fakte të bazuara në dokumentet e korrespondencës zyrtare mes bankës gjermane dhe qeverisë shqiptare, e natyrisht dhe opozitën që ka ngritur me forcë zërin për cenim të interesit kombëtar e publik të Shqipërisë e të Kosovës, si edhe të shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës.

Nuk e di nëse tek mafia ai fut edhe partinë e koalicionit të tij, që përmes ministrit të saj ka mbajtur qëndrim të kundërt me kryeministrin, por kjo është një çështje u takon ta zgjidhin me njëri tjetrin se kush është me mafien e kush është me interesin kombëtar e publik në këtë rast. Kryeministrit foli për çmimin e ofertës së kompanisë fituese dhe pretendoi se ne, opozita, mbrokemi ofertën me çmimin më të lartë. Ndërkohë që, e vërteta është se ne mbrojmë pikëpamjen se bllokimi i këtij projekti është haptazi kundër interesit kombëtar e publik, duke e bazuar kundërshtinë tonë ndaj pretendimit të tij për ofertën me çmimin më të lartë tek qëndrimi teknikisht shumë korrekt i bankës gjermane, e cila shumë qartësisht ka përcaktuar kritere të bazuara në radhë të parë tek vlerësimi teknik i ofertës e vetëm pastaj tek çmimi.

Dhe nuk besoj se ka ndonjë shqiptar që të besojë se banka që përfaqëson shtetin gjerman të jetë e molepsur nga interesa korruptive me sfond mafioz në qëndrimin e saj krejt transparent, ndërsa Saliu të jetë qelibari që po luftoka me korrupsionin e me mafien në përpjekjen e tij për të ndryshuar përmes badigardit të vet rezultatin e një tenderi të përfunduar e të miratuar nga donatori.

Për më tepër pastaj, s’ka shqiptar të arsyeshëm që ta besojë kryeministrin në qëndrimin e tij gjoja parimor për çmimin më të ulët, kur vetëm pak javë më parë zotëria la nam duke përcaktuar si fitues të konkursit për parlamentin fantazmë që po ndërton për 100 vjetorin e pavarësisë, kompaninë me çmimin më të lartë, madje në kundërshtim të hapur publikisht me vetë ministrin e tij të financave.

Se sa të pastra janë duart qeverisëse të Saliut sot, kjo është diçka që duket nga qindra kilometra larg, por duke parë nga afër gjithë dokumentacionin e procesit të bllokuar të realizimit të linjës 400 kilovolt me Kosovën, të vret syrin qëndrimi krejt arbitrar dhe arrogant i qeverisë shqiptare dhe të shpon hundët era e keqe e një historie ku përsëri flamuri kombëtar po ulet në gjysmë shtize ndërsa shtiza e flamurit të korrupsionit qeveritar po u ngulet në shpinë Shqipërisë e Kosovës bashkë.

Në emër të opozitës shqiptare unë i bëj thirrje kryeministrit të heqë postbllokun e korrupsionit nga rruga e realizimit të këtij projekti dhe të mos e damkosë me një tjetër vule antikombëtare turpi qeverinë e këtij vendi dhe vetë Shqipërinë që ka interes strategjik për këtë projekt kaq të rëndësishëm.

Dikur një hetues i famshëm Italian më pat thënë: “Përrallat më të bukura kundër mafies i tregojnë vetë kapot e mafies, ndërsa politikanët e bërë njësh me mafien sa më shumë i shërbejnë mafies me vepra aq më shumë hiqen me fjalë si kalorës të luftës kundër mafies. ” Unë nuk e di nëse Saliu është në këtë rast si kapot që tregojnë përrallat ose si politikanët që teksa i shërbejnë mafies mbajnë fjalime kundër saj, apo është si të dyja palët bashkë, por nuk e dyshoj fare që nëse mafia ka ndonjë lidhje me këtë histori të shëmtuar për këtë lidhje dëshmitari më i informuar është vetë kryeministri i Shqipërisë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit