Transmetuar më 18-04-2012, 17:16

Tiranë, 18 prill 2012, NOA- Bashkia e Tiranës ka folur sërish sot lidhur me sistemin e ri të administrimit të varrezave ekzistuese.

Në fjalën e tij nënkryetari i Bashksië Edmond Panariti u shpreh se reforma që Bashkia e Tiranës synon të ndërmarrë, për të mirëadministruar procesin e varrimeve në Tiranë, udhëhiqet nga respekti i plotë i dinjitetit njerëzor dhe i ndjeshmërive fetare.

Aktualisht tha si, edhe sipas censusit më të fundit mbi popullsinë në Tiranë, në qytetin tonë banon rreth 30% e popullsisë së vendit dhe tendenca është që edhe në vitet në vazhdim.

Sipas tij, nevojat për varrime aktualisht në qytet, përballohen vetëm nga dy varreza publike, përkatësisht varreza e Sharrës, e deklaruar  tashmë e mbyllur dhe varreza e Tufinës, e cila po ecën drejt ezaurimit të plotë të hapësirave.

“Çdo vit, qytetit tonë i duhet të përballojë kërkesat për rreth 3000 varrime, gjë që do të thotë se kërkimi për truall të ri, për t’i plotësuar këto nevoja të familjeve të Tiranës presupozon gjetjen e përvitshme të mbi 15000 metrave katrorë sipërfaqe, ku përveç varrit përfshihen edhe shërbimet mbështetëse, si rrugët, ndërmjetëse, pemët, gjelbërimi dekorativ etj. Bashkia nuk mund ta mbështesë plotësimin e kësaj nevoje në rritje, vetëm duke kërkuar zgjerim të sipërfaqeve të reja për varre, thjesht sepse kjo është e pamundur fizikisht dhe financiarisht”, u shpreh Panariti, raporton noa.al.

Në këtë linjë ai tha se nga presioni i papërballueshëm për hapësira, varre po hapen në vende të papërshtatshme, si vende me shkallë të lartë erozioni buzë përroit të Tufinës, në vende grumbullimi mbeturinash, si dhe në territore të cilat në planin urbanistik të qytetit nuk janë të parashikuara si vende për varrim.

Në emër të Bashkisë Panariti propozoi nisjen e një reforme thelbësore dhe të qëndrueshme për të mundësuar administrimin e një procesi dinjitoz të varrimit, si pjesë e respektit ndaj qytetarëve dhe respektimit të besimit të tyre fetar.

“Pjesë e kësaj reforme janë ndërtimi i varrezave murale, një realitet tashmë i konsoliduar prej vitesh në kryeqytetet e Bashkimit Europian. Bëhet fjalë për zhvendosje të varreve të vjetra dhe shumë të vjetra në sistem vertikal varrimi të tipit mural, mjaft më dinjitoz se gjendja tashmë e degraduar dhe e shpërfillur e këtyre varreve. Si fillim synojmë ta fillojmë me zhvendosjen e varreve mbi 40 vite të vjetra dhe pa dyshim aty ku ekziston konsensusi edhe për varre të tjera. Kështu, sipas statistikave të shërbimit funeral të Bashkisë, përllogariten përafërsisht rreth 5300 varre, të zhvendosur në Tufinë, nga ish – varreza e Bamit në vitin 1964. Po kështu rreth 11 parcela në të dy varrezat janë varre të vjetra e shumë të vjetra me të porsalindur. Vetëm në intervalin 1964-1980 janë varrosur përafërsisht 15000 banorë. Shqyrtimi selektiv dhe i kujdesshëm i këtyre rasteve dhe kalimi i tyre në sistemin mural, në një mënyrë shumë dinjitoze, do të mundësonte çlirimin e sipërfaqeve të konsiderueshme nga varrezat aktuale, të cilat nga bllokimi i plotë do të mund të funksiononin edhe për 10 vitet e ardhshme”.

Panariti theksoi se ajo që është më thelbësore të veçohet është se të gjithë të larguarit nga jeta do të vazhdojnë si më parë të varrosen në tokë dhe se do të respektohet në çdo rast koha shumëvjeçare e tretjes së trupit të të ndjerit, por kjo do të bëhet në hapësira dinjitoze, me të gjithë parametrat ekologjikë, sanitarë dhe infrastrukturorë të duhur.

a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit