Transmetuar më 18-04-2012, 14:29

Tiranë, 18 prill 2012, NOA – Ndalimi i tre gjyqtarëve dhe prokurorëve të Korçës në kufirin grek pse kishin dënuar më herët me 1 vit burg kreun e OMONIA-s Naum Disho për veprën penale të dhunimit të varreve të Boboshticës ka sjellë sot reagimin e PDIU, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

“PDIU shpreh indinjatën për sjelljen e fundit të organeve shtetërore greke që sapo kanë kthyer në kufi gjyqtarët dhe prokurorët e Korçës duke ndërmarrë kështu një hakmarrje të ulët ndaj zyrtarëve të drejtësisë shqiptare që në mënyrë të ligjshme dënuan shkelësin e ligjit, shqiptari bukëshkalë tashmë të arratisur Naum Disho. Ky aleancim me shkelësin e ligjit në arrati z. Disho dhe nëpërkëmbje e përfaqësuesit të organeve të ligjit  bie ndesh jo vetëm me parimet e promovuara nga Bashkimi Evropian por edhe me parimet bazë të funksionimit të një shteti mesatar të lirë e demokratik”, deklaroi sot PDIU.

Partia që mbron interesat e çamëve në territorin e tyre amtar bën me dije se “ky veprim i ulët është një përshkallëzim i sjelljes aspak dinjitoze të deritanishme të autoriteteve kufitare greke ndaj shtetasve shqiptarë që kanë lindur në trojet autoktone shqiptare të Çamërisë flet për një axhendë të qartë shoviniste qe po përvijohet në nivele shtetërore greke që vë në pikëpyetje jo vetëm fqinjësinë e mirë në rajon por edhe nivelin e modernitetit të këtij shteti. A mos vallë edhe kësaj radhe bëhej fjalë për një rast të ngjashëm me mos-njohjen e toponimeve tona çame prej shtetit grek dhe kërkohet që në dokumentat e zyrtarëve tanë të shkruhet "dhikastis" dhe " isangjeleas" në vend të gjykatësit dhe prokurorit”, thuhet në deklaratë.

PDIU i kërkoi ministrisë së Punëve të Jashtme të kërkojë sqarime për aktin më të fundit të pahijshëm ndaj përfaqësuesve të institucioneve tona të drejtësisë.

“Gjithashtu do vihemi në kontakt me organizatat greke të të drejtave të njeriut që të bëjnë presion ndaj shtetit të tyre që mos të rrëshqasë në forma arkaike të shovinizmit prej frustrimit që vjen nga kriza ku elita aktuale politike e ka zhytur vendin fqinj. Ne bëjmë thirrje që i arratisuri Disho të ekstradohet për tu ballafaquar me dënimin e ligjshëm që ka marrë përndryshe do të bëjmë presion që shteti shqiptar të rishikojë marrëdhëniet bilaterale në fushën e rendit, drejtësisë dhe sigurisë me Greqinë duke iu përmbajtur kryekëput parimit të reciprocitetit. Ne jemi të bindur që në këtë aspekt është Greqia ajo që humbet dhe po ashtu s’kemi fije dyshimi që nëse ky shtet vijon me këtë sjellje arrogante, ai ka për të humbur respektin dhe influencën jo vetëm mes trojeve shqiptare por në mbarë rajonin”, thotë PDIU.

mit/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit