

Tiranë, 18 prill 2012, NOA – Lideri i opozitës Edi Rama e akuzoi kryeministrin Sali Berisha si orkestrues të bllokimit të projektit kombëtar të linjës së interkonjeksionit energjetik me Kosovën, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Në një konferencë për shtyp, kryetari i Partisë Socialiste deklaroi se kryeministri Sali Berisha me deklaratat e tij dëshmoi se është ai që ka bllokuar projektin për linjën e interkonjeksionit me Kosovën.
“E vërteta është se bllokimi i këtij projekti është haptazi kundër interesit publik dhe kombëtar”, theksoi Rama.
Duke iu referuar dokumentacionit të publikuar, Rama tha se qëndrimi i bankës gjermane KFW është tejet korrekt duke nënvizuar se ishte e bazuar tek oferta teknike, ndërsa akuzoi Qeverinë për qëndrimin e saj arbitrar dhe arrogant.
Rama iu referua dhe akuzave të kryeministrit Berisha se kjo ishte një klithmë e mafias së dëshpëruar dhe pa atdhe, duke bërë me dije se kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Financave Ridvan Bode duhet të sqarojnë se kush është me mafian dhe kush për interesin kombëtar.
Rama tha se asnjë shqiptar nuk e beson se kryeministri Berisha është i pastër si qelibari në këtë çështje, ndërkohë që sipas Ramës, kryeministri po lufton për transparencën në këtë çështje me bodigardin e vet.
Sipas Ramës, Berisha duhet të sqarojë edhe mosmarrëveshjet për këtë çështje me ministrin e Financave Ridvan Bode.
Duke e akuzuar Berishën, si regjisor të bllokimit të projektit, Rama nënvizoi se evidentohet qartë se bllokimi i linjës 400 KW të shpon hundët nga era e keqe e korrupsionit.
“Në emër të opozitës shqiptare i bëj thirrje kryeministrit ta heqë bllokimin nga rruga e realizimit të këtij projekti dhe të mos damkosë edhe më shumë vendin”, apeloi Edi Rama, duke nënvizuar se Sali Berisha është më i informuari për faktin nëse mafia ka lidhje me këtë projekt kombëtar.
Kryeministri Berisha gjatë një bisede me gazetarët të martën deklaroi se “Kjo është një klithmë e radhës e një mafie të dëshpëruar, por për Sali Berishën mafia nuk ka atdhe, atdheu i saj është shpella ku ndahen paratë e krimit, mafia nuk ka fytyrë, ka vetëm fytyrën e krimit. Janë përgjigjur sot saktësisht si sipërmarrja e cila ka informuar qytetarët se oferta që pretendon Edi Rama është 30% më e kushtueshme se oferta për të cilën drejtuesit e OST- mendon se duhet të fitojnë. Por meqenëse firma është boshnjake dhe nuk ka njohur Bosnja Kosovën ajo nuk mund të fitojë, kjo do më falni por nuk përbën motiv për mua, sepse para se të nxirret kjo arsye, firmës boshnjake i duhej thënë se për arsye se vendi yt nuk ka njohur Kosovën nuk duhet të marrësh pjesë në tender”.
Gazeta “Zëri” në Kosovë shkruante dy ditë më parë në një artikull të saj se bllokimi i projektit për ndërtimin e autostradës energjetike Kosovë-Shqipëri, nga ana e kryeministrit Sali Berisha, në masë të madhe ka shqetësuar edhe përfaqësuesit e bankës gjermane KFW, të cilët janë edhe donatorë të projektit në fjalë. Kjo e përditshme ka siguruar korrespondencën mes ministrit të Financave, Ridvan Bode dhe drejtorit të Bankës gjermane, Roland Siller, ku ky i fundit duket tejet i shqetësuar. “Shqetësimet e ngritura meritojnë vëmendje. Ne dy herë kemi arritur në Tiranë, për të diskutuar personalisht me OST, rreth rezultatit të tenderit të transmisionit 400 KFW me Kosovën”, thuhet në letrën që drejtori Siller i ka dërguar ministrit të Financave, Ridvan Bode. Po ashtu, drejtuesit e bankës i kanë rikujtuar ministrit Bode se dallimi mes kompanisë që e ka fituar tenderin dhe kompanisë tjetër që ka qenë konkurrente është tepër i dukshëm. “Kur i kemi pranuar draftraportin final të vlerësimit diferenca e çmimit mes ofertuesit të parë dhe të dytë të radhitur është i dukshëm. Është detyrë e KFW që fondet të shfrytëzohen sa me ekonomikisht të jetë e mundur. Kjo ka shkaktuar shqetësime te ne”, thuhet më tej në letër. Në fund të letrës drejtori i bankës gjermane KFW thotë se procedurat e tenderit duke i përfshirë edhe kriteret e përzgjedhjes ishin definuar nga agjencitë. Sipas tij, rezultat e vlerësimit janë një rezultat i procedurave të përcaktuara dhe sipas tij, ato nuk mund të kontestohen.
mit/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





