Transmetuar më 18-04-2012, 10:58

Prishtinë, 18 prill 2012, NOA – Shqiptarët që jetojnë në veri të Mitrovicës, pranë zonës “Tre Rrokaqiejt” ndihen të rrezikuar nga sulmet e grupeve kriminale serbe. Organizata ultra-nacionaliste serbe “Obraz” (Fytyra) ka lënë në dyert e shqiptarëve në veri të Mitrovicës, te ”Tre Rrokaqiejt”, letra me mesazhe të tilla si “Ne po vijmë”, raporton Balkan Insight.

Policia e Kosovës bën me dije se kjo ka shtuar pasigurinë te shqiptarët, duke nënvizuar se çështja po hetohet.

“Obraz” është një organizatë e ekstremit të djathë që lufton për Serbinë e Madhe dhe të pastër, me krishterë ortodoksë.

Burime të gazetës kosovare “Koha Ditore” informojnë se përveç organizatave ultranacionaliste dhe të shpallura si ilegale edhe nga shteti serb “Obraz” (Fytyra), “Srpski Cetnicki Pokret” (Lëvizja Çetnike Serbe), janë edhe disa grupe të tjera ekstremistësh, siç janë “Delije” (Trimat) dhe “Grobari” (Varrmihësit), që mund të rrisin aktivitetin e tyre në veri gjatë kësaj kohe.

Sipas të njëjtave burime, pjesë e dy organizatave çetnike, janë edhe familjarë të përfaqësuesve të veriut të Kosovës, që janë liderë të institucioneve ilegale të Serbisë.

Ndërkohë, gjashtë pjesëtarët e MUP-it serb, Jovan Arsiç, Nebojsha Rasiç, Sinisha Mihajloviç, një i katërt me nofkën “Piko” dhe dy të tjerë janë larguar nga banesat e tyre te “Tre rrokaqiejt” në veri të Mitrovicës.

Sipas gazetës urdhrin për t`u zhvendosur, pjesëtarët e MUP-it e kanë marrë pas shpërthimit që ndodhi në banesën e Haradinajve tek “Tre Rrokaqiejt”, ku mbeti i vdekur Selver Haradinaj.

Mbërritja e një njësie të forcave speciale të Kosovës, ROSU në Mitrovicë, pas shpërthimit që i mori jetën shqiptarit Selver Haradinaj ka shkaktuar shqetësim për strukturat e Serbisë në veri të lumit Ibër, duke pasuar edhe largimin e pjesëtarëve të MUP-it nga “Tre Rrokaqiejt”.

mit/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit