

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama priti në takim Trojkën e Ambasadorëve, Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara z. Aleksandër Arvizu, Ambasadorin e OSBE-së, z. Eugen Volfarth dhe Ambasadorin e Bashkimit Europian z. Etore Sequi me të cilët zhvilloi një bisedë lidhur me zhvillimet më të fundit politike në vend, raporton noa.al.
Rama ka thënë se në procesin e zgjedhjes nga Kuvendi i Shqipërisë të anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë u shkelën hapur të gjithë Rregullat e Procedurës dhe u kompromentua procesi i votës së fshehtë çka sjell pasoja të rënda për të tashmen dhe të ardhmen e jetës parlamentare, duke dëmtuar rëndë institucionet kushtetuese të vendit.
Gjatë takimit, z.Rama nënvizoi rëndësinë e madhe që Partia Socialiste i kushton procesit të reformave të cilat i duhen Shqipërisë për të ecur në rrugën e integrimit Europian.
Kurse shprehu shqetësimin për mungesën e progresit të pritur në çështjet më esenciale të Reformës Parlamentare. Rama foli për atë që e cilësoi domosdoshmëri për të punuar më ritme të përshpejtuara për të realizuar Reformën Elektorale brenda afateve për të cilat është rënë dakord.
Edi Rama sipas zyrës për shtyp të PS, i siguroi diplomatët e huaj për impenjimin maksimal të Partisë Socialiste në realizimin reformave në përgjithësi dhe të ngritjes së Gjykatës Administrative në veçanti, si dhe angazhimin e saj për të bërë më të mirën e mundshme në këtë drejtim.
Sipas PS, Trojka e ambasadorëve të OSBE-së, Bashkimit Europian dhe SHBA përgëzuan Kryetarin e PS për konstruktivitetin e treguar në procesin e reformave dhe shprehën besimin se do ky proces do të vazhdojë deri në finalizimin e tij.
Sakaq, në përfundim të takimit ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Arvizu tha për mediat se gjatë bisedës me kryesocialistin u diskutua për Gjykatën Administrative, progresin e reformës zgjedhore, Presidentin, nacionalizmin dhe gjithë çështjet e ditës. Më tej ai tha: “Ishte një takim i frytshëm. Mendoj se të gjithë ndajmë të njëjtat qëllime që është përmirësimi i qeverisjes. Personalisht do takoj Kryeministrin Berisha nesër, ai më ka ftuar për drekë para vizitës në SHBA”. e.t/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





