

Tiranë, 17 prill 2012, NOA/ Arjola Ymeraj- Kryeministri i vendit Sali Berisha në një komunikim nga Kryeministria me gazetarët theksoi se nuk ekziston as edhe një ngërç i vetëm midis parlamentit dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Sipas tij, ekziston një përpjekje e re për të dhunuar Kushtetutën e vendit nga Presidenti i cili e mbyll mandatin duke regjistruar akte rekord në historinë e kësaj demokracie të dhunimit dhe të thyerjes së Kushtetutës.
“Një zotëri që në konceptin më primitiv më të prapambetur konsideron karriken e Presidentit mbi ligjin themelor të shtetit. Pikërisht për këto arsye Gjykata e Lartë mbeti muaj të tërë pa kryetarin e saj. Po për këto arsye të njëjtin fat pësoi edhe Gjykata Kushtetuese, pikërisht për këto arsye sepse u shkelmua vendimi i Kushtetuese që i kërkojnë Kreut të Shtetit të operojë me Parlamentin në emërimet e tij dhe tani së fundmi i vendosur për interesa që ai e di vetë të shfrytëzojë dhe të vetmin moment që i ka ngelur sërish për të shkelur mbi Kushtetutën. Kushtetuta e Shqipërisë në nenin 167 thotë me qartësinë kristalit se KLD përbëhet nga 15 vetë nga të cilët 9 janë detyrimisht gjyqtarë që zgjidhen nga trupa gjykuese e vendit, të tjerët janë personalitet ex-officio dhe pjesa tjetër zgjidhjet nga parlamenti”, u shpreh Berisha, raporton noa.al.
Në këtë linjë ai tha se Kushtetuta nuk ka lënë hapësirë që trupa gjyqësore e vendit të përfaqësohet nga 7 apo 8 pasi është taksative kur thotë se përfaqësohet nga 9 dhe Kushtetuta në frymën e saj, thotë se nga këta 9 gjyqtarë nuk mund të zgjedhë nënkryetarin e trupës gjyqësore, pasi i ka dhënë shumicën në mënyrë që ajo në këtë ekzekutiv, është shumica dhe nuk mund të kesh nënkryetarin mbasi 9 duhet të jenë 9 përveç matematikës së kaosit.
Më tej ai shtoi se vetvetiu del pyetja po nënkryetari që duhet të jetë funksionar, nuk mund të jetë tjetër në frymën e Kushtetutës përveçse një nga përfaqësuesit e parlamentit, nuk mund të jetë ministri sepse Kushtetuta nuk e lejon të ushtrojë një funksion tjetër dhe as kryetarja e Gjykatës së ë Lartë.
Në këtë kuadër Kryeministri u shpreh se, “Kushtetuta nënkryetarin e ka përcaktuar të zgjidhet nga Parlamenti, me të njëjtën përgjegjësi përcakton vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2006, meqënëse ligjvënësi ka bërë një gabim në ligjin e KLD, Kushtetuesja vendimi i të cilës është normë e barabartë me atë kushtetues,e thotë se trupa gjyqësore e vendit do të përfaqësohet në KLD nga 9 gjyqtarë, pra ka mbyllur çdo derë, çdo dritare nuk ka lënë hapësira”.
Berisha theksoi se Presidenti Bamir Topi do e mbyllë ditë më ditë mandatin e tij.
a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





