

Tiranë, 17 prill 2012, NOA- Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi prezantoi draft strategjinë për reformën në fushën e të drejtave të pronësisë, e cila synon t’i japë zgjidhje problematikës mbi çështjet e pronësisë, gjatë një takimi me përfaqësues të institucioneve vendase si dhe grupeve të interesit sot në mjediset e Ministrisë së Drejtësisë.
Siç informon noa.al, duke vlerësuar punën e bërë nga ekspertët vendas dhe të huaj në përgatitjen e draft strategjisë për çështjet e pronësisë theksoi se, vizioni do të materializohet nëpërmjet prioritete madhore që kanë në themel reformimin e agjencive dhe proceseve mbi të drejtën e pronësisë, prioritete këto, të cilat do të zbërthehen në politika reformuese për të ofruar sigurinë dhe qartësinë e titujve të pronësisë.
“Këto politika do të jenë të koordinuara në një nivel strategjik dhe shtylla bazë do të jetë dixhitalizimi i informacionit, transparenca e veprimtarisë, saktësia e veprimeve juridike, monitorimi i zbatimit të ligjit, etj. Jam optimist se masat që do të marrim në këtë strategji do të na çojnë drejt konsolidimit të së drejtës së pronës në Shqipëri”, tha Halimi. Kreu i ministrisë se Drejtësisë Eduard Halimi, sqaroi me detaje draft-strategjinë, ndërsa akuzoi Partinë Socialiste për mashtrime me çështjen e pronësisë.
Ministri Halimi hodhi poshtë deklaratat e PS për dështimin e procesit te regjistrimit te pasurive te paluajtshme.
Halimi tha se sot regjistrimi fillestar ka përfunduar në 2555 zona kadastrale ose 84% te totalit të tyre që përfshin 3. 088 700 pasuri të paluajtshme.
Sipas tij, sa i takon procesit për kthimin dhe kompensimin e ish -pronarëve, ministri Halimi tha se realiteti shqiptar ka patur një problematike të ndjeshme jo vetëm për shkak të intensitetit të padrejtësive gjatë regjimit komunist por edhe për shkak të cilësisë së dobët të dokumentacionit që disponohet nga qytetaret.
Në këtë linjë shtoi se që nga viti 1993 deri me 2011 janë hapur 62 mije kërkesa për njohjen, kthimin dhe kompensimin e pronave.
Halimi theksoi se ALUIZNI vepron sipas një strategjie të përcaktur për procedurat e nevojshme të legalizimit.
Në këtë kuadër ministri tha se, “Procedurat administrative nuk janë zero sikurse u tha në një tryeze të një partie politike. Procedurat administrative kanë përfunduar për afro 80 % të objekteve. Janë dhënë leje legalizimi për 52 mije pasuri, te cilat janë përfshire edhe në sistemin e regjistrimit te Pasurive te Paluajtshme. Ndërkohë që janë në proces të përgatitjes së dokumentacionit tekniko ligjor për rreth 100 mijë pasuri informale. Janë miratuar nga Këshilli i Regullimit të Territorit 127 zona dhe vendbanime informale që përfshijnë 120 mijë pasuri”.
a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





