Transmetuar më 17-04-2012, 16:01

Tiranë, 17 prill 2012, NOA – Pas lajmit të publikuar një ditë më parë në disa media të shkruara dhe elektronike për një padi të ngritur ndaj Presidentit të Republikës Bamir Topi, nga shtetasja moldave Olga Tofan me pretendimin e mosdhënies së shtetësisë shqiptare edhe pas martesës së saj me një shqiptar, Presidenca sqaron opinionin publik se zonja Tofan nuk plotëson as kushtin minimal për të marrë shtetësinë shqiptare, pasi nga tre vite martesë, që kërkon ligji, ajo ka vetëm 6 muaj e martuar me shqiptarin Ismet Bobo, nga Fieri, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Moldavja Olga Tofan akuzon Presidentin Topi se i ka mohuar në mënyrë të padrejtë dhënien e shtetësisë shqiptare.

Por, Drejtoria Juridike e Institucionit të Presidentit të Republikës sqaron opinionin publik se ndër të tjera, neni 10 i ligjit “Për dhënien e shtetësisë shqiptare” parashikon se “I huaji që është martuar me një shtetas shqiptar prej jo më pak se tre vjet, në rast se dëshiron, mund të fitojë shtetësinë shqiptare me natyralizim”.

Kjo drejtori pasi e ka shqyrtuar imtësisht praktikën e kërkesës për fitimin e shtetësisë shqiptare nga ana e shtetases moldave Olga Tofan, të paraqitur nëpërmjet MPB-së ka vërejtur se kërkuesja, Tofan, nuk plotësonte kushtin minimal ligjor, pasi “zonja Olga Tofan përmbush vetëm 6 muaj nga 3 vite martese ligjore të kërkuara”.

“Kërkesa e zonjës Olga Tofan për të përfituar shtetësinë shqiptare është refuzuar pikërisht për arsyen e lartpërmendur, duke qenë se nuk plotësonte detyrimin ligjor të sipërpërmendur, pasi Institucioni i Presidentit të Republikës, në mbështetje të nenit 9, 10 dhe 20 të ligjit Nr. 8389, datë 08.03.1998 “Për shtetësinë shqiptare”, të ndryshuar, ka konstatuar se praktika e saj nuk ishte e plotë nga ana ligjore”, informon Drejtoria Juridike pranë Presidentit të Republikës.

Disa media të shkruara dhe elektronike raportuan një ditë më parë se moldavja Olga Tofan e kishte paditur Kreun e Shtetit pasi i kishte refuzuar, sipas saj, nënshtetësinë shqiptare.

Madje, Tofan e martuar me fierakun Ismet Bobon, e cilësonte këtë refuzim si racizëm, duke kërkuar madje edhe kompensim të dëmit moral nga Presidenti.

Sipas mediave familja Bobo është larguar nga banesa në Fier për shkak të refuzimit të dhënies së nënshtetësisë për bashkëshorten moldave Olga Tofan.

Olga Tofan e akuzon Presidentin Topi se ia ka refuzuar disa herë kërkesën asaj për nënshtetësinë shqiptare, edhe pse ajo jeton në Fier prej 18 vitesh dhe ka tre fëmijë nga martesa me Ismet Bobon.

mit/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit