Transmetuar më 17-04-2012, 14:07

Tiranë, 17 prill 2012, NOA – Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama akuzoi Qeverinë se po mashtron popullin me deklaratat e saj për uljen e taksave, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Rama nënvizoi se taksat nuk janë ulur, por janë rritur.

Kreu i PS-së deklaroi se sot populli taksohet më shumë se të pasurit, duke u shprehur se “Konsumi taksohet 3 herë më shumë se fitimi dhe pasuria. Faktikisht sot ka më shumë taksa mbi pagat, mbi biznesin e vogël, mbi fshatarët, fermerët e bujqit, dhe familjet shqiptare”.

Ai përmendi këtu se aktualisht mësuesit paguajnë 10 herë më shumë taksë se disa vjet më parë, infermierja 30 herë më shumë taksë, po kështu edhe çdo mjek, polic i zakonshëm, inxhinier, shofer, etj.

Shefi i selisë rozë gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist theksoi se vendosja e taksës së sheshtë nga Qeveria nuk ka sjellë uljen e barrës fiskale.

“Më shumë taksa paguajnë sot të gjithë qytetarët shqiptarë”, tha Rama, duke shtuar se kryeministri paguan shumë më pak taksa se më parë.

Rama nënvizoi se taksa e sheshtë nuk është taksa që rrit pasurinë e vendit, pasi çdo shqiptar paguan një taksë në çdo blerje.

Kreu i PS-së foli edhe për importin duke u shprehur se Shqipëria importon sot dy herë më shtrenjtë, për të cilën paguajnë njerëzit e zakonshëm.

Sipas Ramës, me këto politika, Qeveria po e çon vendin drejt rrënimit.

mit/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit