
Tiranë, 16 prill 2012, NOA- Kreu i Prezencës së OSBE-së në vendin tonë Eugen Wollfarth në fjalën e mbajtur në ceremoninë e nënshkrimit të një marrëveshjeje teknike mes Prezencës dhe Ministrisë së Mbrojtjes për një projekt që parashikon asgjësimin e mbi 80 tonë kimikatesh tha se fondet për këtë projekt jepen nga Çeki dhe Turqia, në pjesën më të madhe.
“Ky projekt është pjesë e rëndësishme në kuadrin e përgjithshëm të çmilitarizimit. Nga këndvështrimi i OSBE-së, ky aktivitet ka një interes jetësor për vendin për dy arsye të shëndosha. Një arsye e shëndoshë është se shkatërrimi i të gjitha kimikateve të rrezikshme është çështje sigurie: siguri për popullatën, siguri për mjedisin dhe, gjithashtu, siguri për rajonin. Për më shumë se katër vjet tashmë, që nga shpërthimi i tmerrshëm i Gërdecit, Prezenca e OSBE-së ka qenë e përkushtuar në mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes në përpjekjet e saj për të shkatërruar në mënyrë të sigurt municionet e tepërta dhe kimikatet toksike të rrezikshme”, u shpreh Wollfarth, raporton noa.al.
Në këtë linjë ai shtoi se për sa u përket kimikateve, OSBE-ja ka ndihmuar në shkatërrimin e 34 tonëve të një materiali të njohur me emrin ‘melange’ në vitin 2009, me fonde nga Danimarka, Finlanda, Greqia dhe Suedia, dhe 120 tonë dikloretani në vitin 2010, me fonde nga Vendet e Ulëta.
Ai e cilësoi si inkurajuese faktin se Ministria e Mbrojtjes po bën vazhdimisht përpjekje të fuqishme për të zhvilluar profesionalisht planin e saj të veprimit për çmilitarizimin, duke shtruar kështu rrugën drejt të qenit një vend i çliruar nga mbetjet e vjetra dhe të rrezikshme të periudhës së Luftës së Ftohtë.
Nga ana e tij Ministri i Mbrojtjes Arben Imami tha se, “Marrëveshja teknike që sapo nënshkruam ka për qëllim shkatërrimin e rreth 80 tonë lëndësh kimike të mbetura e të magazinuara në depo ushtarake. Me përfundimin e këtij projekti, Shqipëria nuk do t’i ketë më këto kimikate ushtarake të vjetra dhe të rrezikshme. Nuk mendoj se do ta teproja po të thosha: kjo do të jetë një arritje e shkëlqyer”.
a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





