Transmetuar më 16-04-2012, 15:57

Tiranë, 16 prill 2012, NOA – Ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto është prononcuar sot për mediat mbi zhvillimet më të fundit në Maqedoni, Kosovë dhe çështjen çame, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

E teksa grekët e kanë kthyer në rit, moslejimin e qytetarëve shqiptarë me origjinë çame të hyjnë në Greqi, me pretekstin e pasaportës së parregullt, ministri Haxhinasto bëri me dije se mbrojtja e të drejtave të çamëve është çështje madhore e MPJ-së.

“Unë dua të siguroj edhe njëherë tjetër se çështja e të drejtave të shqiptarëve, është çështja madhore, kryesore e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Përsa i takon zgjidhjes së problematikës që thoni ju, ne jemi në komunikim intesiv, po bëjmë përpjekjet maksimale që të zgjidhet gjithë problematika që ka të bëjë me komunitetin çam, me të drejtat e tyre legjitime, me të drejtat e tyre të lëvizjes, me të drejtat e tyre të pronësisë, pra të gjithë të drejtat e tyre legjitime”, theksoi Haxhinasto.

Ai foli edhe për ngjarjet më të fundit kriminale në Maqedoni që kanë rikthyer tensionet ndëretnike në këtë vend.

Pyetje: Zoti ministër, kohët e fundit kemi një situatë të tensionuar në Maqedoni, ndërkohë që edhe në veriun e Kosovës situata paraqitet e brishtë. Cili është komenti juaj për këto zhvillime?

Haxhinasto: Ne po i ndjekim me shumë vëmendje të gjitha këto zhvillime. Së pari, duhet të rishpreh ngushëllimet e mia për atë që u ka ndodhur familjeve të qytetarëve, që janë gjetur të vrarë në Maqedoni. Gjithashtu, them se në këto momente është e nevojshme të ketë një qetësi nga ana e të gjithë faktorëve. Është e rëndësishme t’i japim mundësi hetimit të plotë të kësaj çështjeje dhe të mos lejojmë aspak të bëhen keqinterpretime, apo manipulime politike e mediatike përsa i takon kësaj ngjarje. Kërkohet një hetim i plotë dhe pas hetimit, fajtorët të vihen para ligjit.

Pyetje: Po për veriun e Mitrovicës?

Haxhinasto: Veriu i Mitrovicës, gjithashtu është një situatë, të cilën ne po e ndjekim. Rritja e tensioneve nuk i shërben askujt. Sigurisht jemi gjatë një procesi zgjedhor në Serbi dhe uroj që këto tensionime të mos jenë në funksion të zhvillimeve zgjedhore atje.

mit/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit