

Tiranë, 16 prill 2012, NOA Update – Mbledhja e gjatë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka përfunduar për ditën e sotme, por zgjedhja e nënkryetarit të KLD-së është shtyrë për të mërkurën, më 18 prill, kur do të mbahet mbledhja e radhës, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Ka qenë rishtas axhenda e ngjeshur e takimeve të Presidentit të Republikës Bamir Topi që ka shtyrë për të dytën herë brenda ditës, zgjedhjen e nënkryetarit të ri të KLD-së.
Anëtarët kanë rënë dakord që mbledhja e radhës të mbahet të mërkurën, ditë në të cilën pritet të zgjidhet nënkryetari i ri.
Gjatë mbledhjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Presidenti i Republikës Bamir Topi ka propozuar për postin e nënkryetarit të KLD-së, anëtarin Ilir Mustafaj, i zgjedhur në KLD nga konferenca e gjyqësorit.
Propozimi i emrit për këtë post është e drejtë ekskluzive e Presidentit të Republikës.
Mbledhja e KLD-së është zhvilluar me dyer të mbyllura.
Anëtarët e KLD-së janë përfshirë në debate të ashpra për kandidaturën e propozuar nga Presidenti për postin e nënkryetarit.
Kanë qenë disa anëtarë që e kanë kundërshtuar këtë kandidaturë të Topit.
Disa anëtarë të KLD-së, bashkë me Presidentin Topi kanë gjykuar se në postin e nënkryetarit të KLD duhet të vihet një emër nga gjyqësori dhe jo një anëtar i zgjedhur nga Kuvendi.
Megjithatë, çështja për zgjedhjen e nënkryetarit të KLD-së pas dorëheqjes së Kreshnik Spahiut, pritet të zgjidhet të mërkurën.
mit/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





