



Tokio, 16 prill 2012, NOA – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli është nisur për një vizitë zyrtare në Japoni, me ftesë të homologut të saj, Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Takahiro Yokomichi, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Kryeparlamentarja Jozefina Topalli do të pritet në një takim nga Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Takahiro Yokomichi, dhe pas takimit, dy personalitetet do të japin një konferencë të përbashkët për shtyp.
Kryetarja e Kuvendit do të pritet në takime të veçanta nga zv/Guvernatori i Mijagit, Masahiro Wako, si dhe Kryetarja e Bashkisë së Sendait, Emiko Okuyama.
Gjatë kësaj vizite, zonja Topalli do të vizitojë kompaninë e njohur SONY, si dhe kompani të tjera, ku do të ketë mundësinë për të promovuar potencialet investuese shqiptare dhe të ftojë këto kompani të investojnë projekte ambicioze në Shqipëri. Kryetarja e Kuvendit do të zhvillojë gjithashtu një takim me Presidentin e Dhomës së Këshilltarëve, Kenji Hirata, e më pas një takim me Kryetarin e Grupit Parlamentar të Miqësisë Japoni-Shqipëri, Hiroshi Hase.
Gjatë kësaj vizite, Kryetarja e Kuvendit do të vizitojë edhe zonën Higashi Matsushima e dëmtuar nga tërmeti dhe cunami biblik, në 11 marsin e vitit të shkuar.
mit/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





