

Kryeministri i Çekisë Petr Necas (Petr NeČas) viziton të hënën Shqipërinë, i ftuar nga kryeministri Sali Berisha, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Kryeministri çek Necas do të pritet nga kryeministri Berisha, me një ceremoni zyrtare në kryeministri.
Më pas, dy homologët do të zhvillojnë një takim “tete a tete”, i cili do të pasohet nga bisedimet mes dy delegacioneve, të kryesuara nga dy kryeministrat.
Në përfundim të tyre, kryeministri Berisha dhe kryeministri Necas do të dalin në një konferencë të përbashkët për median.
Në prani të dy kryeministrave, në sallën e marrëveshjeve të Këshillit të Ministrave do të nënshkruhet Protokolli i Marrëveshjes së ripranimit midis Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Brendshme të Republikës Çeke.
Kryeministri Berisha do të shtrojë edhe një drekë zyrtare për nder të Kryeministrit Necas dhe delegacionit që e shoqëron.
Gjatë vizitës së tij zyrtare në Tiranë, kryeministri çek Petr Necas do të pritet në një takim, nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, si dhe do të marrë pjesë, së bashku me kryeministrin Berisha, në ceremoninë e mbylljes së Forumit ekonomik çeko-shqiptar.
Në prani të tyre do të firmoset edhe Protokolli i Komitetit të Përbashkët midis Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Industrisë dhe Tregtisë së Republikës Çeke.
Vizita e kryeministrit Necas konsiderohet si një kontribut i rëndësishëm në çuarjen më tej të marrëdhënieve midis dy vendeve në të gjitha fushat, veçanërisht atyre ekonomike.
mit/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





