

Tiranë, 15 prill 2012, NOA – Kryeministri Sali Berisha ka uruar gjithë besimtarët ortodoks me rastin e Festës së Pashkëve. Pas vizitës në selinë e Kishës Ortodokse, Berisha uroi besimtarët duke e cilësuar këtë festë, si ditën e ringjalljes së shpresës.
“Uroj që Pashka tjetër të na gjejë edhe më mirë, së bashku me vëllezërit ortodoksë ta festojmë në Katedralen e re. Ne shqiptarët kemi motive më të mëdha se kushdo tjetër që t’i falemi Zotit sepse ne jemi një komb i rilindur, sepse besimet tona janë besime të rilindura, sepse asnjë komb tjetër nuk pati fatin tonë të izolohej në errësirat më të thella, të privohej nga besimet dhe shpresat. Pra këto 20 vite, janë vite të rilindjes së vërtetë të shqiptarëve, të besimeve të tyre të mëdha”, u shpreh kreu i qeverisë.
Ai theksoi se kjo festë merr një rëndësi të veçantë në 100 vjetorin e Pavarësisë. “Në këtë 100-vjetor vijmë të ringjallur dhe të pavdekshëm si komb, prandaj duhet të falënderojmë Zotin më shumë se gjithë të tjerët”, u shpreh Berisha.
a.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





