Transmetuar më 14-04-2012, 19:34

Obduksioni pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore në Shkup ka rezultuar se pesë viktimat në afërsi të fshatit Smilkovc janë vrarë nga tre lloj armësh.

Kjo është theksuar sot nga ministrja e MPB-së, Gordana Jankullovska, e cila ka nënvizuar gjithashtu se ndaj viktimave është shtënë nga më shumë se veta, informon INA.

“Të shtënat kanë qenë nga tre anë të ndryshme dhe është shtënë kryesisht në pjesën e sipërme të trupave të viktimave”, theksoi ministrja Jankullovska.

Sipas saj, policia po vazhdon hetimet për gjetjen e autorëve të këtij krimi dhe se në biseda informative janë thirrur rreth 50 veta, ndërsa po vijon bashkëpunimi edhe me policitë e vendeve fqinje.

MPB ka hapur një linjë telefonike me numrin 199 dhe atë 192, ku qytetarët dhe të tjerë mund të lajmërojnë çdo informacion të lidhur me rastin. Ministrja e MPB-së këto deklarata i bëri sot në Gazi Babë, ku është vendosur shtabi operativ pranë Stacionit policor të kësaj komune.

Ministrja shtoi se të gjitha informacionet po analizohen dhe se janë të mundura opsione të ndryshme se kush janë aktkryerësit. “Nuk përjashtohet që ata të jenë jashtë shtetit, dhe se gjithashtu viktimat të jenë cak i rastit. Bëhet fjalë për të rinj që nuk kanë pasur problem me ligjin, apo me rrethinën, apo kanë pasur ndonjë lloj dosje”, theksoi Jankullovska, duke i bërë thirrje qytetarëve që të përmbahen nga spekulimet dhe nxitja e tensioneve ndëretnike, për shkak se sipas saj, akoma nuk dihen kryerësit e vrasjes.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit